Krerët e lartë të vendit urojnë Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

Krerët e lartë të vendit tonë kanë përcjellë mesazhe urimi drejtuar Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë.
Kryeministri Edi Rama, Presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentari Niko Peleshi, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, dhe kryebashkiaku Erion Veliaj teksa kanë kujtuar sakrificën, qëndresën dhe vendimin e një populli për të jetuar i lirë, u ndalën dhe te procesi gjyqësor me të cilin po përballen në Hagë katër ish-krerët e UÇK-së për të cilët shprehën shpresën që procesi të përfundojë me drejtësi dhe respekt për historinë e Kosovës.
Në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti, kanë bërë nderime te Monumenti i të Pagjeturve në Sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.
Ata gjithashtu kanë bërë dhe homazhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri Edi Rama, ka publikuar në Facebook një fotoalbum nga vizita e tij zyrtare në Prishtinë, e realizuar në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.Postimi është shoqëruar me një mesazh urimi për Ditën e Pavarësisë, ku Rama shpreh edhe keqardhjen që nuk do të mund të marrë pjesë në manifestimin e paralajmëruar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
“MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e vizitës sime dje në Prishtinë, i uroj Kosovës gëzuar pavarësinë me keqardhjen që s’mund të jem sot në manifestimin popullor të solidaritetit me katër pengjet e UÇK-së në ferrin e (pa)drejtësisë ndërkombëtare në Hagë”, shkruan Rama.
Begaj uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Le të ecim bashkë drejt BE-së
Presidenti Bajram Begaj, ka uruar Kosovën me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, duke theksuar forcimin e institucioneve dhe rritjen e njohjeve ndërkombëtare.
“Gëzuar Kosovë! Në këtë 18-vjetor, Kosova është më e fortë, me institucione demokratike të konsoliduara dhe me më shumë njohje ndërkombëtare. Përulje dhe mirënjohje për ata që sollën lirinë!”, shkruan Begaj.
Begaj shpreh mirënjohje edhe ndaj partnerëve strategjikë të Shqipërisë dhe Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Mirënjohës ndaj miqve dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe bashkësisë perëndimore, për mbështetjen e fuqishme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Le të ecim bashkë drejt BE-së më të bashkuar se kurrë! BASHKË, JETË E MOT!”, përfundon mesazhi i Presidentit Begaj.
Spiropali uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Shqipëria krah saj si motër dhe aleate
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka uruar 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë datë si një moment që përkujton sakrificën, qëndresën dhe vendosmërinë e një populli për të jetuar i lirë.
“Gëzuar Kosovë! Urime 18-Vjetorin e Pavarësisë! Kjo është një ditë që kujton sakrificën, qëndresën dhe vendimin e një populli për të jetuar i lirë. Një rrugë e vështirë, por e drejtë, që çoi te shteti i Kosovës dhe te dinjiteti i qytetarëve të saj”, shkruan Spiropali.
Ajo thekson se Kosova sot është një realitet i pakthyeshëm, me institucione të konsoliduara, demokraci në zhvillim dhe orientim të qartë euroatlantik, duke vijuar rrugën e saj përpara me besim dhe përgjegjësi.
Në mesazhin e saj, Spiropali nënvizon se Shqipëria qëndron krah Kosovës si motër dhe aleate, me përkushtim të plotë për sigurinë, zhvillimin dhe të ardhmen europiane.
“Urime nga zemra për qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë”, përfundon ajo.
Veliaj uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë: Shpresoj që procesi i drejtuesve të UÇK-së të përfundojë me drejtësi
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Në mesazhin e tij, Veliaj thekson rëndësinë e 17 Shkurtit si ditë që simbolizon sakrificën dhe qëndresën për liri.
“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! 17 Shkurti nuk është thjesht një datë – është kujtesë se LIRIA nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me qëndresë dhe besim. Sot, më shumë se kurrë, Kosova meriton të festojë me kokën lart: për të gjithë ata që luftuan dhe për çdo të ri që rritet me flamur e dinjitet”, shkruan Veliaj.
Veliaj ka përkujtuar gjithashtu edhe drejtuesit e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke shprehur shpresën që procesi i tyre gjyqësor të përfundojë me drejtësi dhe respekt për historinë dhe lirinë e Kosovës.
“E në këtë ditë, nuk mund të mos mendojmë edhe për ata që luftuan në betejë që Kosova të jetë e lirë – drejtuesit e UÇK-së. Ende shpresoj se procesi i tyre do të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e secilit në shtëpi, në respekt të së vërtetës, historisë dhe lirisë së Kosovës. Gëzuar Kosovë – qofsh gjithmonë e lirë!”, vijon ai.
Peleshi uron Kosovën: Qofsh gjithmonë e lirë dhe e bekuar
Kryeparlamentari Niko Peleshi ka uruar Kosovën për 18-vjetorin e pavarësisë së saj.
Me një mesazh në rrjetin social Facebook, Peleshi uron Kosovën për të qenë gjithmonë një shtet i lirë dhe i bekuar.
“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Qofsh gjithmonë e lirë dhe e bekuar”, shkruan Peleshi.
Proda: Kjo ditë përfaqëson sakrificën dhe përkushtimin e popullit të Kosovës drejt forcimit të shtetit
Policia e Shtetit uron Policinë e Kosovës, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Policia e Shtetit përcjell urimet më të përzemërta për Policinë e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i ka dërguar mesazh urimi homologut të tij, Kolonel Gazmend Hoxhës, ku ndër të tjera thekson se kjo ditë përfaqëson sakrificën dhe përkushtimin e popullit të Kosovës drejt forcimit të shtetit dhe institucioneve demokratike.
Proda shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mirë mes policive të dy vendeve.
“Kjo ditë përfaqëson sakrificën dhe përkushtimin e popullit të Kosovës drejt forcimit të shtetit dhe institucioneve demokratike. Policia e Kosovës ka dëshmuar profesionalizëm dhe partneritet të besueshëm në garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal kundër krimit të organizuar. Jam i bindur se bashkëpunimi ynë i shkëlqyer do të vijojë të thellohet edhe më tej, në funksion të sigurisë së qytetarëve tanë dhe stabilitetit të rajonit”, deklaroi Proda.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



