Kurti: Nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë, lufta e UÇK-së ishte e kulluar çlirimtare

Kosovë | 8 muaj më parë

Në ceremoninë zyrtare të parakalimit të Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se në këtë ditë feste nuk mund të mbyllen sytë para padrejtësive që, sipas tij, po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Kurti theksoi se Kosova lindi si shtet nga rezistenca paqësore, lufta çlirimtare dhe ndërhyrja ndërkombëtare, duke kujtuar se liria e vendit është ngjizur shumë më herët se 17 Shkurti i vitit 2008.

“Liria e Kosovës është ngjizur me përpjekjet e pareshtura ndër breza, me qëndresë dhe me luftën e drejtë të UÇK-së, e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviqit i dha fund një regjimi shtypës dhe i hapi rrugë shtetësisë sonë”, tha Kurti.

Ai e cilësoi procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës si jo transparent dhe të pashembullt në praktikat e drejtësisë ndërkombëtare.

“Në këtë ditë feste nuk i mbyllim sytë para padrejtësive. Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë në procese gjyqësore jo transparente. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshohet”, deklaroi ai.

Gjatë fjalimit, kreu i ekzekutivit foli edhe për investimet në sektorin e mbrojtjes, duke theksuar se shpenzimet për ushtrinë janë shumëfishuar, numri i pjesëtarëve të FSK-së është dyfishuar dhe janë investuar mbi 450 milionë euro në armatim modern, pajisje dhe sisteme komunikimi.

Sipas tij, FSK-ja po zhvillohet si një ushtri profesionale dhe e ndërveprueshme me aleatët ndërkombëtarë, e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

“Parada e sotme nuk është demonstrim force përballë ndokujt, por dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit tonë. Mesazhi ynë është i qartë: Kosova është e lirë dhe do të jetë, Kosova është demokratike dhe do të jetë, Kosova është sovrane dhe do të jetë”, përfundoi Kurti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme