Kanadaja rrit investimet në mbrojtje, kryeministri Carney prezanton strategjinë me 500 miliardë dollarë investime
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka prezantuar strategjinë e parë industriale të mbrojtjes, një plan ambicioz që parashikon mbi 500 miliardë dollarë investime në dhjetë vitet e ardhshme.
Nisma synon të forcojë sigurinë kombëtare dhe njëkohësisht të zgjerojë industrinë vendase. Sipas tij, gjatë dekadës së ardhshme do të investohen 180 miliardë dollarë për prokurime ushtarake dhe 290 miliardë të tjera për infrastrukturë të lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë. Carney deklaroi nga Montreali se këto investime do të gjenerojnë edhe mbi 125 miliardë dollarë përfitime shtesë për ekonominë.
Ai theksoi se industria kanadeze e mbrojtjes punëson aktualisht më shumë se 80 mijë persona drejtpërdrejt dhe shumë të tjerë në mënyrë indirekte. Kryeministri sqaroi se plani nuk nënkupton vetëm zgjerim të ushtrisë. Ai tha se bëhet fjalë edhe për forcimin e industrive strategjike dhe për qëndrueshmërinë e ekonomisë.
Strategjia, sipas tij, është një plan i qartë për t’u dhënë Forcave të Armatosura atë që u nevojitet në kohën e duhur. Një tjetër objektiv është zgjerimi i kompanive kanadeze të mbrojtjes dhe hapja e mbi 125 mijë vendeve të reja pune me paga të larta. Korniza e kësaj strategjie përmblidhet në tre fjalë, “ndërto, bashkëpuno, bli”, duke i dhënë përparësi kompanive vendase dhe aleatëve. Në qendër të kësaj qasjeje të re do të jetë Agjencia e Investimeve të Mbrojtjes, e cila do të drejtojë dhe mbikëqyrë zbatimin e planit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




