Gjyqi në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, avokatët mbrojtës: S’ka prova për implikimin e tyre në krime, po fajësoni mbi thashetheme

Kosovë | 8 muaj më parë

Në Hagë u dhanë deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa Prokuroria ka kërkuar gjithsej 180 vite burgim. Mbrojtja i ka kundërshtuar të gjitha akuzat, duke kërkuar shpalljen e pafajësisë për të pandehurit.

Avokati i Hashim Thaçit: Nuk ka asnjë provë që ai ka kryer krime

Avokati mbrojtës i Thaçit, Lluka Mishetiq, deklaroi para trupit gjykues se nuk ekziston asnjë provë që klienti i tij ka kryer krime lufte apo krime kundër njerëzimit. Sipas tij, Thaçi nuk ka pasur asnjë rol në hartimin apo shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së.

“Konsensusi i provave dhe dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së ishte se Thaçi nuk dyshohej se ishte i përfshirë në krime lufte apo në ndonjë politikë që shënjestronte kundërshtarët. ZPS nuk kishte përgjigje për të hedhur poshtë këto pretendime të hënën”, tha Mishetiq.

Ai akuzoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se nuk ka arritur të sigurojë prova për asnjë nga pretendimet e ngritura në aktakuzë. Sipas mbrojtjes, prokuroria madje ka ndryshuar provat “për të mbushur boshllëqet” në argumentim.

“ZPS nuk ka përgjigje. Dhe kjo është e pakuptimtë”, u shpreh ai.

Avokati i Kadri Veselit: Fajësia nuk mund të shpallet mbi thashetheme

Edhe avokati i Kadri Veseli, Rodney Dixon, deklaroi se një person nuk mund të shpallet fajtor nëse vendimi mbështetet në “prova të patestuara dhe thashetheme”, duke theksuar se nuk ekziston asnjë provë që e lidh klientin e tij me krimet e pretenduara.

Gjatë paraqitjes së tij, Dixon kritikoi pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke thënë se në paraqitjen e saj fillestare Veseli u përmend shumë pak, ndërsa vetëm në fund u rikthyen akuzat ndaj tij, të cilat ai i cilësoi si të pabazuara.

“Ata pretendojnë se ne nuk e kemi trajtuar themelin e akuzave të ZPS-së. Kjo është një akuzë e rëndë, sepse unë trajtova çdo pretendim të tyre për të treguar se ishin të pabaza”, u shpreh Dixon.

Sipas tij, argumentet e ZPS-së janë të paqarta dhe të gabuara.

 “As sot e kësaj dite nuk i kam të qarta argumentet e tyre, sepse e dimë që janë të gabuara”, tha ai.

Avokati shtoi se Veseli ka shkuar shumë rrallë në Shtabin e Përgjithshëm dhe nuk ka ushtruar komandë në asnjë strukturë inteligjence apo ndaj ndonjë personi tjetër.

“Nuk ka komanduar në asnjë strukturë inteligjence dhe nuk ka komanduar askënd në fakt”, theksoi ai.

Në përfundim, mbrojtja kërkoi nga trupi gjykues që Veseli të shpallet i pafajshëm, duke argumentuar se nuk ekzistojnë prova që e lidhin atë me krimet e pretenduara në aktakuzë. Dixon kritikoi ZPS-në, duke e cilësuar mungesën e lidhjeve konkrete mes pretendimeve dhe përgjegjësisë së Veselit si “dembellëk dhe përbuzje ndaj kësaj gjykate që nuk është krijuar për hir të dënimit”.

Avokati i Jakup Krasniqit: Prokuroria ndryshon provat

Avokati i Jakup Krasniqi, Aidan Ellis, ka deklaruar se klienti i tij do të shpallet i pafajshëm nëse trupi gjykues vendos bazuar në provat e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.

Gjatë fjalës së tij, Ellis akuzoi Prokurorinë për ndryshim të provave dhe përpjekje për ta orientuar çështjen drejt interpretimeve të caktuara. Ai theksoi se Prokuroria po mbështetet në pretendimin se Bislim Zyrapi, në nëntor të vitit 1998, ka qenë vartës i Krasniqit.

Sipas avokatit, provat dhe dëshmitë e paraqitura në gjykatë tregojnë të kundërtën.

“Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shtabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit”, tha ai

Avokati i Rexhep Selimit: Prokuroria nuk ka asnjë provë

Mbrojtja e Rexhep Selimit ka kërkuar që ai të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, duke theksuar se Prokuroria Speciale nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet e saj.

Avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, deklaroi se asnjë vendim tjetër përveç lirimit të menjëhershëm të klientit të tij nuk mund të justifikohet në bazë të provave të paraqitura në këtë proces gjyqësor.

“Selimi duhet të shfajësohet për të gjitha akuzat, të lirohet menjëherë dhe të kthehet në Kosovë pranë familjes së tij. Asnjë vendim tjetër nuk mund të justifikohet në bazë të provave që janë paraqitur në këtë çështje”, tha Roberts.

Sipas tij, Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë se Selimi ka kontribuar në të ashtuquajturën “ndërmarrje të përbashkët kriminale” apo në krimet e përfshira në aktakuzë. Ai theksoi se barra e provës ka qenë tërësisht mbi Prokurorinë gjatë pesë viteve të procedurave gjyqësore dhe paragjyqësore, ku janë dëgjuar qindra dëshmitarë dhe janë administruar mijëra prova materiale.

“Prokuroria nuk ka asnjë provë kundër Selimit dhe nuk mund të sigurojë një vendim fajësie. Secili prej pretendimeve të ZPS-së ndaj tij ka qenë i pabazë”, u shpreh avokati.

Roberts shtoi se edhe vetë Prokuroria, sipas tij, nuk duket e bindur në argumentet që ka paraqitur, duke e cilësuar shqetësuese paaftësinë e saj për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave.

“Ka aq shumë mangësi provuese saqë trupi gjykues nuk duhet të bazohet kurrsesi mbi to”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme