Nis Ramazani, mesazh i Tërnavës – Myftiu i Kosovës: Besimi dhe atdhedashuria plotësojnë njëra-tjetrën
Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka përcjellë mesazhin tradicional për nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit. Gjatë fjalës së tij, Myftiu zgjodhi të bëjë një lidhje të fortë mes besimit shpirtëror dhe festës së Pavarësisë së Kosovës. Ai u shpreh se zemrat e besimtarëve rrahin njësoj si për fenë, ashtu edhe për dashurinë ndaj atdheut
“Historia jonë dëshmon se besimi ka qenë burim frymëzimi për angazhim qytetar dhe kombëtar, veçanërisht në momentet kyçe si shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kur u kurorëzua një sakrificë e gjatë për liri, drejtësi dhe dinjitet”, tha ai.
Ramazani u cilësua prej tij si shkolla e shpirtit, ku përmes agjërimit dhe solidaritetit njerëzit pastrohen dhe bashkohen.
“Ramazani është muaji kur Fjala Hyjnore zbriti si dritë për njerëzimin, udhëzim për zemrat, shërim për shpirtrat dhe mëshirë për botët. Është koha kur zemrat hapen për Librin e Zotit dhe shpirtrat përulen para Madhërisë së tij. Ai na mëson durimin, faljen dhe solidaritetin, duke na kujtuar se forca më madhe e njeriut është zemra e pastër dhe dora që ndihmon. Zoti i Madhërishëm thotë: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani” (El-Bekare, 185). Ky muaj i bekuar na fton në rrugën e drejtë, na edukon me drejtësi, dhembshuri e moral të lartë dhe na udhëzon drejt paqes së brendshme. Ramazani është shkolla e shpirtit, ku besimtari pastrohet nga gabimet, forcohet në besim dhe rritet në devotshmëri”, theksoi, Tërnava
Tërnava u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg urrejtjes, të forcojnë vëllazërinë mes tyre duke u shprehur që ky muaj të jetë kohë reflektimi për thellimin e dashurisë ndaj fesë si burim drite dhe ndaj Kosovës si amanet i të parëve e përgjegjësi ndaj brezave që vijnë.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




