Shtyhet “Plumbi i Artë”, sherr i ashpër mes prokurorit dhe avokates së Altin Ndocit

Me debate dhe tensione u shoqërua seanca e kësaj të enjte e megaprocesit gjyqësor “Plumbi i Artë” mes përfaqësuesve të akuzës dhe mbrojtësve ligjorë.
Disa prej të pandehurve që ishin të pranishëm në seancë hodhën akuza në drejtim të prokurorisë në lidhje me mbajtjen e tyre në paraburgim prej kaq kohësh.
“Po na varrosni për së gjalli” dhe “Po na mbani në burg ju, jo Nuredin Dumani”, ishin deklaratat që u bënë nga të pandehurit Petrit Qoli dhe Asllan Plaku këtë të enjte.
Debatet u regjistruan në momentin procedural kur SPAK paraqiti provat shkresore, ndërkohë në seancën e radhës do të vihen në dispozicion bisedat në Sky ECC përmes një CD-je që do paraqitet në monitorin e sallës.
Për të pandehurin Asllan Plaku, prokurori Behar Dibra iu përgjigj pretendimit se ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore, duke theksuar se ky shqetësim duhet të adresohet përmes avokates.
Mbrojtësit ligjorë të Altin Ndocit, i cili ndodhet në kërkim prej një muaji, debatuan ashpër me prokurorët, pasi ata kërkuan të rrëzohej kërkesa e tyre për t’u vënë në dispozicion CD-ja me të gjitha komunikimet në Sky ECC, të marra me letër porosi.
Gjykata e Posaçme caktoi seancën e radhës në datë 3 mars, ku do të vijojë debati mbi provat shkresore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



