Seanca maratonë/ Kuvendi zgjedh 4 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH, miraton ligjin për testimin e diplomatëve

Politikë | 8 muaj më parë

Kuvendi zhvilloi një seancë maratonë që përfundoi në orën 04:15 të mëngjesit të së premtes, gjatë së cilës u miratuan dy projektligje dhe pesë projektvendime, mes tyre edhe zgjedhjen e katër anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Banka e Shqipërisë.

Gjatë votimeve në seancë plenare, deputetët miratuan katër kandidatura për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Konkretisht Selami Xhepa u miratua anëtarë me 74 vota pro dhe 16 kundër, Holta Zaçaj u miratua me 72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim; Ervin Mete u miratua me 74 vota pro dhe 17 kundër; Jonida Prifti u miratua me 73 vota pro dhe 18 kundër.

Ndërkohë, kandidatura e Matilda Shehu, e propozuar nga mazhoranca, do të votohet në një tjetër seancë plenare, pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar socialist.

Projektvendimet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës u miratuan me shumicë votash, pas diskutimeve mes mazhorancës dhe opozitës.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe draftin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, i cili parashikon testim të detyrueshëm për diplomatët në shërbim brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Projektligji u miratua me 75 vota pro, 15 kundër dhe 1 abstenim.

Seanca shqyrtoi më tej Projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, i cili u prezantua nga deputetja nismëtare Ina Zhupa. Gjatë fjalës së saj, Zhupa u shpreh se trashëgimia kulturore nuk mund t’i lihet në dorë një privati për të interpretuar historinë e vendit, për të interpretuar gjetjet arkeologjike apo për të përfituar nga fondet publike që gjenerohen prej saj. Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 74 vota kundër dhe 17 pro.

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, u prezantua nga nismëtarja Jorida Tabaku, ku pas diskutimeve u rrëzua me 73 vota kundër, 17 pro dhe 1 abstenim.

Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, u prezantua nga nismëtarja, Ina Zhupa, që gjithashtu u rrëzua me 75 vota kundër dhe 17 pro.

Senca vijoi më tej me shqyrtimin e Projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e tre deputetëve të Partisë së Lirisë, znj. Erisa Xhixho, z. Tedi Blushi dhe z. Edmond Haxhinasto.

Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 73 vota kundër, 17 vota pro dhe 1 abstenim.

Ndërsa Projektligji “Për statusin e minatorit”, nismë e deputetes së opozitës, znj. Jorida Tabaku, u rrëzua me 74 vota kundër, 17 pro dhe 1 abstenim.

Punimet plenare vijuan me shqyrtimin e Projektligjit “Për domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratike për ndotësit ushqimorë”, i cili u prezantua nga Tedi Blushi.

Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 75 vota kundër dhe 17 vota pro.

Seanca u mbyll në orët e para të mëngjesit, pas një axhende të ngarkuar dhe votimesh të njëpasnjëshme në sallën plenare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme