Bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec, Rama: Mos ia faturoni qeverisë rrëshqitjet gjeologjike. Në Itali rrezikon të zhduket fshati, por s’ka histeri si këtu

Politikë | 8 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për bllokimin e aksit Librazhd-Pogradec, për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Rama thotë se kjo ka ndodhur si pasojë e rrëshqitjeve gjeologjike dhe se nuk mund t’i “faturohet” qeverisë.

Rama u shpreh se rrëshqitja e masivit natyror në anë të rrugës së vjetër ka ndikuar edhe në aksin e ri, por sipas tij, “ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale apo teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse”.

Duke iu referuar debatit publik, Rama u shpreh se është e padrejtë që një fatkeqësi natyrore të kthehet në çështje politike, ndërsa krahasoi situatën me Italinë ku rrezikon të zhduket një fshat i tërë për shkak të rrëshqitjeve masive të dherave.

“Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!”, shkruan Rama.

Ai iu përgjigj edhe akuzave të liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili deklaroi se kryeministri po udhëtonte me helikopter drejt Korçës pasi rruga ishte e bllokuar. Rama sqaroi se udhëtimi ishte planifikuar më herët dhe lidhej me një vizitë pune me një grup investitorësh strategjikë në fushën e arsimit të lartë.

Sipas tij, investitorët po vizitojnë hapësirat e “Polit të Dijes” në Korçë dhe kompleksin e ri në Vlorë, si destinacione me potencial për të pritur universitete të njohura ndërkombëtare.

“Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare!

Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune të mirë.

Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!

Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar, po nuk ka ndonjë kanal a qoftë edhe portal në atë vend – parti politike jo e jo – që ta trajtojë fatkeqësinë natyrore me histerinë e këtushme, ku ky avaz është bërë një traditë e ligë. Ndërsa për fluturimin tim mbi aksin e bllokuar, kam edhe këto dy fjalë:

E para, i kam rënë Shqipërisë rrotull më shumë se tërë kryeministrat e tjerë të marrë së bashku, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar dhe e kam prekur këtë vend në çdo qoshe, jo si turist, po si kryeshërbëtori i zgjedhur i shqiptarëve, të cilët i çmoj më shumë se çdo telendar politik a mediatik dhe më njohin më mirë se kushdo prej tyre, prandaj edhe më kanë votuar gjithnjë e më masivisht, duke i shpërfilluar rregullisht tenxheret medatike e dallaveret politike!

E dyta, me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri.

Por fundja çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund fare, karvani do ecë përpara, qentë do vazhdojnë të lehin, veprat do jenë të vetmet që do të mbeten”, shkruan Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme