Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Kuvendit për rritjen e numrit të komisioneve parlamentare

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Kuvendit për ndryshimet në Rregulloren e tij, që parashikonin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga tetë në 11.
Vendimi erdhi pas ankimit të Partisë Demokratike, e cila argumentoi se procedura e ndjekur ishte e njëanshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Në seancën e datës 23 shkurt 2026, Gjykata vlerësoi se Kuvendi kishte shkelur parimin e demokracisë përfaqësuese dhe lirinë e shprehjes së deputetëve, duke mos respektuar rregullat e thirrjes së mbledhjes dhe procedurën e miratimit të aktit. Për këtë arsye, vendimi nr. 57/2025 i datës 16 shtator 2025 u shfuqizua si antikushtetues.
Gjykata vendosi që efektet e shfuqizimit të hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke i lënë Kuvendit kohë të riorganizojë komisionet parlamentare sipas standardeve të përcaktuara. Vendimi u mor njëzëri nga trupi gjykues dhe do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata) në datën 10.02.2026 shqyrtoi në seancë publike çështjen me kërkesë jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”.
Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.
Gjithashtu Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizimit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.
Për arsyet e mësipërme, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata, njëzëri, vendosi:
* Pranimin e kërkesës
* Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
* Efektet shfuqizuese të këtij vendimi hyjnë në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




