Kriminaliteti te të rinjtë, Lamallari: Një sistem drejtësie që parandalon dhe që ofron mundësi të dyta për ata që gabojnë

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, mori pjesë në prezantimin e fushatës “S’ka Shkurt”, një nismë e mbështetur nga OSBE, që synon ndërgjegjësimin e të rinjve për rreziqet e përfshirjes në paligjshmëri dhe krim.
Fjalën e tij përshëndetëse, ministri e nisi me një referencë ndaj një urtësie të vjetër shqiptare: “Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë”, duke e lidhur drejtpërdrejt me mesazhin e fushatës.
Ministri e cilësoi parandalimin e kriminalitetit tek të rinjtë si prioritet të politikave publike të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tij, investimi më i madh që mund të bëhet është mbrojtja e të rinjve nga rrugët e gabuara dhe ofrimi i alternativave reale për zhvillim.
“Angazhimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një sistem drejtësie që ndërhyn herët, që parandalon përfshirjen në krim dhe që ofron mundësi të dyta për ata që zgjedhin të kthehen në rrugën e duhur”, theksoi ministri.
Më tej Lamallari nënvizoi se krimi sot nuk rekruton më vetëm në rrugë, por edhe në hapësirën digjitale, përmes imazheve të luksit dhe narrativave të rreme të suksesit. Pikërisht në këtë hapësirë digjitale, tha ministri, përgjigjja jonë duhet të jetë me një kundër-narrativë të fortë.
Ai përmendi gjithashtu edhe ndërtimin e Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, në Mëzez, si një investim madhor në drejtësinë për të mitur, me 7 objekte multidisiplinare sipas modelit francez.
“E ardhmja nuk ndërtohet mbi frikën, por mbi besimin; jo mbi mashtrimin, por mbi meritën. Nuk ka rrugë të shkurtra drejt suksesit. Ka vetëm zgjedhje. Dhe zgjedhja e duhur është gjithmonë ajo që respekton ligjin, dinjitetin dhe të ardhmen”, deklaroi ministri Lamallari.
Më tej ai vlerësoi bashkëpunimin me OSBE-në dhe Qendrën e Parandalimit të Kriminalitetit për të Mitur dhe të Rinj, duke e konsideruar fushatën një investim në kulturën e ligjshmërisë dhe në forcimin e besimit të të rinjve tek institucionet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




