Rritje page për Policinë e Shtetit, ministrja Koçiu prezanton paketën e re ligjore për mbrojtjen e territorit

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka theksuar se mbrojtja e interesit publik dhe goditja pa kompromis e çdo fenomeni të paligjshmërisë mbetet themeli i punës së institucionit që ajo drejton.
Ajo nënvizoi se operacioni i ligjshmërisë në territor tashmë ka marrë karakter të përhershëm, duke dërguar një mesazh të qartë se abuzimi me territorin nuk do të shpërblehet më.
Koçiu bëri të ditur se deri më tani janë evidentuar 252 subjekte që kanë shkelur lejen e ndërtimit, janë prishur 447 ndërtime apo shtesa pa leje dhe janë vendosur gjoba me vlerë rreth 12 milionë euro. Sipas saj, mbrojtja e territorit nuk është vetëm prishje e ndërtimeve pa leje, por mbi të gjitha mbikëqyrje, monitorim në kohë reale dhe garantim i cilësisë së ndërtimit.
“E kemi nisur me operacionin e ligjshmërisë në territor, i cili tashmë ka karakter të përhershëm. Me rishikimin e kornizës ligjore në muajin tetor të vitit që shkoi dhe me mundësinë e konfiskimit të shtesave pa leje për përdorim social, po dërgojmë një mesazh të qartë: abuzimi me territorin nuk do të shpërblehet më”, u shpreh ministrja.
Ministrja prezantoi një paketë të re masash ligjore që synon harmonizimin e punës së IKMT me inspektoratet vendore, duke krijuar një strukturë të unifikuar kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Ajo theksoi se roli i prefektit do të fuqizohet përmes ndryshimeve ligjore, duke shtuar edhe dy prefektë detarë, me qëllim rritjen e sigurisë dhe koordinimit në nivel vendor, sidomos në situata emergjencash civile.
Një tjetër element i reformës është transformimi i Policisë Bashkiake në një strukturë profesionale, me standarde të njësuara në gjithë vendin, rekrutime transparente dhe trajnim të vazhdueshëm. Ligji i ri “Për Policinë Bashkiake” pritet të sjellë një bërthamë qendrore që do të garantojë performancë dhe siguri më të lartë në komunitet.
Koçiu përmendi edhe projektin “Smart City”, ku do të instalohen 5 000 kamera inteligjente në rrugët kryesore dhe mbi 20 shkolla do të monitorohen, duke rritur standardin e sigurisë në komunitete.
Në fjalën e saj, ministrja u ndal edhe te goditja e krimit ekonomik, duke theksuar se vitin e kaluar janë sekuestruar dhe konfiskuar 65 milionë euro pasuri të paligjshme. Vetëm në vitin 2025 janë sekuestruar 726 pasuri, prej të cilave 64 janë konfiskuar dhe janë përdorur për mbështetjen e 15 projekteve sociale, si dhe për përmirësimin e punës së 20 institucioneve publike. Ajo shtoi se po punohet për bazën ligjore që pronat e konfiskuara të shkojnë edhe në mbështetje të familjeve të punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës.
“Vetëm në vitin 2025 janë sekuestruar 726 pasuri, nga të cilat 64 janë konfiskuar dhe kanë kontribuar në mbështetjen e 15 projekteve me karakter social, me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitetet vulnerabël. Rreth 20 institucione publike kanë përfituar nga këto asete, tha ministrja.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është Regjistri Kombëtar i Adresave, i cili po rishikohet dhe përmirësohet në bashkëpunim me bashkitë, për të garantuar standardizim dhe qartësi në territor.
Në fund, Koçiu dha lajmin e mirë për rritjen e pagave të Policisë së Shtetit. 720 efektivë të trupave operacionale dhe elitë, si RENEA, Forcat Operacionale dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, do të përfitojnë një rritje të mëtejshme të pagës, duke e çuar atë nga 1 600 euro për gradën inspektor në 2 300 euro për gradën kryekomisar apo drejtues.
“E gjithë kjo është një përpjekje e vazhdueshme, që kërkon bashkëpunim me të gjitha institucionet, në nivel qendror dhe vendor,” përfundoi ministrja Koçiu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



