Sot protesta e PD, Policia: Nuk e marrim përsipër zhvillimin e tubimit

Partia Demokratike do të zhvillojë pasditen e kësaj të shtune një protestë para Kryeministrisë, por Policia e Shtetit ka deklaruar se nuk do të marrë përsipër zhvillimin e këtij tubimi. Sipas Policisë, ky vendim vjen për shkak të incidenteve të ndodhura në protestat e kaluara, ku janë përdorur akte dhune ndaj efektivëve.
“Nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përdorimi i të miturve në tubim, si dhe nga informacionet e siguruara mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, Policia e Tiranës deklaron se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet.
“Policia e Tiranës apelon për qytetarët që, nëse ndeshen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



