Protestuesit e PD i vunë zjarrin vilës së ish-diktatorit Hoxha, ministri Gonxhe: 12 artistë ndodheshin sot aty, ky është një agresion i hapur

Pas protestës së opozitës, ku u hodhën fishekzjarre dhe molotov mbi vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha – e cila pas restaurimit është shndërruar në një qendër arti ndërkombëtare, ‘Vila31 x ArtExplora’, ka reaguar ashpër Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Ministri e cilësoi ngjarjen si një akt të papranueshëm dhe të rrezikshëm për jetën e artistëve që ndodheshin brenda objektit:
“Është absolutisht revoltuese të shohësh se si verbëria politike e një opozite të dëshpëruar nuk ndalet para asgjëje, duke lëshuar masivë molotovi mbi një godinë ku brenda ka artistë, njerëz, jetë dhe krijimtari!”
Ai theksoi se sulmi nuk ishte thjesht një akt vandalizmi, por një tentativë për të goditur imazhin e Shqipërisë dhe për të frenuar zhvillimin kulturor e turistik të vendit.
“Të sulmosh me egërsi një qendër ndërkombëtare arti si ArtExplora, një nga fondacionet më prestigjioze në botë për mbështetjen e talentit dhe rezidencave artistike, është një akt terrorizmi që tenton të na kthejë pas në epokat më të errëta të hirit dhe shkatërrimit.”
Gonxhja deklaroi se në momentin e sulmit, në vilë ndodheshin 12 artistë, shumica të huaj, përfshirë edhe të rinj nga vende me fronte lufte që kanë përjetuar trauma. Për fat të mirë, nuk pati pasoja fizike, por ministri theksoi se komuniteti artistik u ndje i terrorizuar:
“Një komunitet artistik që jeton e punon në atë objekt për të materializuar lirinë u terrorizua sot nga antiliria!”
Gonxhja akuzoi opozitën se po ushqehet me rrënim dhe se nuk e duron dot suksesin e Shqipërisë në fushën e kulturës dhe turizmit:
“Ky nuk është opozitarizëm, ky është një agresion i hapur dhe i shëmtuar ndaj imazhit të ri të Shqipërisë dhe miqve tanë ndërkombëtarë! Ata duan ta shohin Shqipërinë të mbuluar nga tymi dhe balta, sepse nuk e durojnë dot ringritjen tonë.”
Ministri u shpreh se fryma e lirisë nuk mund të shuhet nga dhuna politike dhe paralajmëroi se shteti do të ndjekë me vëmendje reagimin e prokurorisë:
“Ju mund të hidhni molotov, por nuk mund ta digjni dot frymën e lirisë. Vila31 x ArtExplora dhe artistët tanë në rezidencë nuk do të mposhten nga frika dhe ky shtet nuk do të lejojë që prapambetja dhe dhuna politike të marrin peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë!”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



