PD depoziton sot në Kuvend raportin e Këshillit të Mandateve për Belinda Ballukun

Partia Demokratike do të depozitojë sot në Kuvend raportin e Këshillit për Imunitetin dhe Mandatet për Belinda Balluku.
Njoftimin e ka bërë me dije kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi përmes rrjetit social Facebook, ku deklaron se PD-ja është pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Ballukut.
Ai sqaroi se raporti do të prezantohet në orën 14:00 në konferencë për shtyp.
“Sëbashku me kolegët e mi të Grupit Parlamentar të PD, sot do të depozitojmë në Kuvend, Raportine Këshillit të Mandateve për dhënien e autorizimit SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku. Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit.
Në orën 14:00 në një konferencë për shtyp do të prezantojmë Raportin dhe do të sqarojmë detajet e plota pse kërkesa e prokurorisë duhet të mbështetet dhe duhet ti hapet rrugë arrestimit të Belinda Ballukut”, shkruan Bardhi.
Dy muaj më parë, Gjykata Kushtetuese pezulloi efektet e vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku (aktualisht e shkarkuar nga detyra)
Në mbledhjen e Gjyqtarëve të zhvilluar më 12 dhjetor 2025, Gjykata shqyrtoi kërkesën e depozituar nga Kryeministri Edi Rama më 21 nëntor, i cili pretendonte se GJKKO kishte tejkaluar kompetencat duke cenuar imunitetin e anëtarit të kabinetit qeveritar.
Katër ditë më parë, Kryeministri Rama shpalli një riorganizim të thellë të kabinetit qeveritar, ku preku disa nga dikasteret më të rëndësishme të ekzekutivit. Konkretisht, Belinda Balluku u shkarkua nga posti i zv.kryeministres, detyrë e cila iu ngarkua Albana Koçiut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



