Goditja e vjedhjeve në kryeqytet, Policia e Tiranës arreston 5 persona dhe shpall në kërkim 3 të tjerë në dy operacione blic
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar dy operacione brenda 24 orëve të fundit, duke i dhënë një goditje veprimtarisë kriminale kundër pronës dhe biznesit. Aksionet e shtrira në territoret e Komisariateve Nr. 2 dhe Nr. 5 u finalizuan me prangosjen e pesë personave, mes tyre edhe tre të rinj të kapur në flagrancë, si dhe me shpalljen në kërkim të tre të dyshuarve të tjerë.
Gjatë ndërhyrjeve u bë i mundur edhe sekuestrimi i një automjeti dhe i sendeve të vjedhura, pas kallëzimeve të menjëhershme të ardhura nga administratorët e subjekteve të dëmtuara.
Operacioni “Bashkëpunimi”, kapen dy vëllezër, shpallen në kërkim tre autorët
Në operacionin e parë, të udhëhequr nga Komisariati i Policisë Nr. 2, rranë në pranga dy vëllezër: shtetasit K. B., 26 vjeç dhe S. B., 27 vjeç. Arrestimi i tyre erdhi pas një kontrolli të ushtruar në automjetin me të cilin udhëtonin, ku efektivët gjetën një sërë materialesh të vjedhura në një lokal të ndodhur në zonën e Rrugës së Kavajës.
Nga veprimet e thelluara hetimore, policia ka arritur të identifikojë dhe të shpallë në kërkim tre persona të tjerë (shtetasit me iniciale C. D., S. A. dhe B. K.), të cilët dyshohen si autorët kryesorë të kësaj vjedhjeje.
Operacioni “Flagranca”, parandalohet vjedhja e dyqanit
Paralelisht, strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 5 ndërhynë në kohë rekord për të parandaluar një vjedhje në tentativë, duke vënë në pranga tre të rinj. Shtetasit A. V., 23 vjeç, E. K., 19 vjeç dhe F. H., 19 vjeç, u arrestuan në kushtet e flagrancës teksa po tentonin të thyenin dhe të vidhnin një biznes (dyqan) në pronësi të shtetasit F. L.
Policia e Tiranës bëri me dije se po punohet intensivisht për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së këtyre shtetasve, pasi dyshohet se ata mund të jenë të përfshirë edhe në episode të tjera të ngjashme vjedhjesh në kryeqytet.
Të gjitha materialet procedurale për të dyja rastet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




