Berisha: Me deklaratën për korrupsionin, Rama sfidoi shqiptarët dhe ndërkombëtarët

Në foltoren e mbajtur para Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama sfidoi shqiptarët dhe ndërkombëtarët, kur “u tha se lufta kundër korrupsionit është më e dëmshme se korrupsioni”.
Berisha tha se asgjë nuk po e pengon Edi Ramën në pushtetin e tij.
“Të dashur miq, duhet të flasim hapur, t’i themi gjërat siç janë. Vendi po hyn në një fazë kritike si asnjëherë më parë. Edi Rama, siç e shihni, pasi është kapur, është vërtetuar si kryehajduti i kombit, deklaroi publikisht se korrupsioni do të mbrohet, nuk do të luftohet. Deklaroi publikisht para secilit shqiptar se lufta kundër korrupsionit është me dëmshme se vetë korrupsioni. Me këtë ai u tha qytetarëve shqiptarë se asgjë në botë nuk më pengon të vazhdoj t’u vjedh me të gjithë pushtetin që kam.
Kjo ishte deklarata më e padëgjuar ndonjëherë në historinë e një vendi. Por ndonjëri që mund të mendojë se kjo është një deklaratë pa substancë, i them se jo, e keni gabim.
Kjo deklaratë është bërë në një kohë kur shqiptarët kanë bërë protesta më të fuqishme kundër vjedhjes së tyre, kundër mbrojtjes së korrupsionit”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, kjo ishte një sfidë e hapur që Rama i bëri faktorit ndërkombëtar.
“Kjo deklaratë është bërë kur komuniteti ndërkombëtar ka sjellë në Tiranë ministra kryesorë të Europës, ka sjellë në Tiranë komisionerë të Komisionit Europian. Ka sjellë mesazhet më të prera, më të qarta se vjedhjet e qytetarëve shqiptarë nga qeveria nuk do i tolerojmë. Në tërë historinë e shtetit, kurrë ndonjëherë komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë lëvizja të tilla kaq të fuqishme. Përveç kësaj, dy delegacione për mbledhje faktesh, njëri i Parlamentit Europian i përbërë nga deputetë të gjithë spektrit politik. Përfaqësuesit e 30 partive politike të qendrës së djathtë ishin këtu për mbledhje faktesh”, ka theksuar Berisha.
Ai shtoi se ministri i Jashtëm i Gjermanisë, ministri për Europën i Gjermanisë, komisionari për ligjet i KE, “erdhën këtu për të dhënë mesazhin se korrupsioni nuk mund të mbrohet. Se shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve për Shqipërinë. Cila ishte përgjigja e Edi Ramës? Përgjigja e Edi Ramës ishte se lufta kundër korrupsionit sjell më shumë probleme se vetë korrupsioni. Nuk ka sfidë më të rëndë se kjo. Nuk ka sfidë më poshtëruese për shqiptarët se kjo.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



