Alergjitë sezonale në pranverë: Si t’i dallojmë nga virozat dhe si të mbrohemi nga poleni

Shëndet | 7 muaj më parë

Me ardhjen e pranverës dhe çeljen e luleve, natyra sjell ngjyra e aromë, por për shumë njerëz kjo stinë shoqërohet edhe me shqetësime shëndetësore. Rritja e nivelit të polenit në ajër, sidomos nga pemët, barishtet dhe lulet, bëhet shkak i simptomave si teshtima, hundë e bllokuar, sy të skuqur dhe kruarje fyti.

Poleni përhapet lehtësisht me erën dhe mund të qëndrojë në ajër për orë të tëra, duke irrituar rrugët e frymëmarrjes tek personat e ndjeshëm. Më të prekurit janë zakonisht fëmijët mbi moshën 5-6 vjeç, adoleshentët dhe të rriturit. Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike dhe ndotja e ajrit e kanë zgjatur sezonin polenik vitet e fundit, duke bërë që simptomat të zgjasin më shumë dhe të jenë më intensive.

Në programin “Mirëmëngjes Shqipëri”, alergologia Klea Xhelilaj shpjegoi se alergjitë janë një reagim i ekzagjeruar i sistemit imunitar ndaj stimujve të jashtëm, të cilët për shumicën e njerëzve janë të padëmshëm. Përveç poleneve, alergjitë mund të shkaktohen edhe nga pluhurat e shtëpisë, si dhe nga epiteli i kafshëve shtëpiake.

Gjenetika dhe faktorët e mjedisit

Sipas mjekes, një faktor i rëndësishëm është predispozita gjenetike, ndaj gjatë konsultës pyetet gjithmonë për histori familjare alergjish. Ndërkohë, urbanizimi, ndotja atmosferike dhe zgjatja e sezonit polenik kanë rritur numrin e rasteve të reja, madje edhe tek të rriturit që shfaqin alergji për herë të parë.

Ajo theksoi gjithashtu se në qytete – veçanërisht në Tiranë – mbjellja e pemëve “pa kriter” dhe futja e llojeve jo tipike për vendin tonë mund të sjellë polene të reja, duke rritur sensibilizimet dhe problemet alergjike.

Simptomat: Si shfaqet alergjia nga poleni

Kur poleni bie në kontakt me sytë, lëkurën apo rrugët respiratore, mund të shkaktojë:

  • rrufë dhe teshtima të shpeshta
  • sekrecione të holla nga hunda
  • kruarje fyti, veshësh dhe sysh
  • lotim të shtuar
  • konjuktivit alergjik (skuqje/ënjtje e syrit)
  • në raste të predispozuara, mund të përkeqësojë astmën bronkiale.

Alergji apo virozë? Shenja kryesore është temperatura

Një nga pikat më të rëndësishme të dallimit është temperatura: alergjia nuk shoqërohet me temperaturë, ndërsa virozat zakonisht po. Një tjetër tregues është përsëritja sezonale: shumë pacientë raportojnë se “çdo pranverë bëhen njësoj”, dhe simptomat zgjasin sipas sezonit polenik.

Mjekja shpjegoi se, përveç poleneve jashtë, në pranverë dhe vjeshtë përkeqësohen edhe alergjitë nga pluhurat e shtëpisë (mikroorganizma që gjenden në ambiente të brendshme), të cilët riprodhohen më shumë kur rritet temperatura dhe ka lagështirë.

Çfarë mund të bëjmë për t’u mbrojtur?

Sipas alergologes, evitimi i kontaktit është mënyra më e mirë për të ulur përkeqësimin e simptomave, por ka edhe masa praktike:

  • shmangni daljet herët në mëngjes, kur përqendrimi i poleneve është më i lartë
  • mbani maskë dhe syze (sidomos për ata që bëjnë konjuktivit alergjik)
  • pasi ktheheni në shtëpi, lani trupin dhe flokët për të larguar polenin
  • ajrosni shtëpinë në orare kur ngarkesa polenike është më e ulët
  • monitoroni “kalendarin polenik” te aplikacionet e motit, për të ditur ditët me ngarkesë të lartë.

Diagnostikimi dhe trajtimi

Mjekja theksoi se diagnostikimi bazohet fillimisht te klinika (simptomat), pastaj te testet. Testi më i thjeshtë është “skin prick test”, që jep përgjigje brenda 20 minutash për alergjenë të ndryshëm.

Trajtimi personalizohet sipas rastit:

  • për rinitin alergjik: spraj nazal me kortikosteroid dhe/ose tableta antihistaminike
  • për astmën: terapi inhalatore (“pompat”), që vepron aty ku duhet me më pak efekte anësore
  • për konjuktivitin alergjik: pika okulare me antihistaminik.

Këshilla për prindërit

Në fund, alergologia nënvizoi se nëse fëmijët shfaqin shenja alergjie që herët, është shumë e rëndësishme të bëjnë konsultë dhe testime. Menaxhimi i mirë dhe në kohë i alergjisë mund të parandalojë komplikacione më serioze në të ardhmen.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme