Drafti i PS për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, Bardhi: Po defunksionalizohet Kuvendi, në 2012 u ndryshua vetëm me konsensus

Politikë | 8 muaj më parë

Debati për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit ka përplasur sërish mazhorancën dhe opozitën. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj draftit të propozuar nga Partia Socialiste, duke e akuzuar shumicën për veprime të njëanshme dhe të pakonsultuara.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Bardhi theksoi se Rregullorja e Kuvendit nuk mund të ndryshohet sipas vullnetit të një partie të vetme politike.

“Rregullorja e Kuvendit nuk është Statuti i PS, që ndryshohet çdo muaj sipas vullnetit të vetëm një partie politike. Rregullorja e Kuvendit është ligji që garanton bashkëjetesën e të gjitha forcave politike brenda institucioneve demokratike, përcaktuar në mënyrë konsensuale dhe tashmë me rregulla të konsoliduara”, u shpreh ai.

Sipas Bardhit, miratimi i ndryshimeve pa konsensus cenon funksionimin normal të Kuvendit dhe rolin e opozitës.

“Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njëanshme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit. Bashkëjetesa brenda institucioneve demokratike pamundësohet dhe opozitës i diktohet me forcën e kartonit edhe nëse duhet të flasë apo jo, sa duhet të flasë dhe çfarë duhet të thotë”, deklaroi ai.

Bardhi e cilësoi draftin si një “provokim të ulët” nga ana e mazhorancës dhe paralajmëroi pasoja për funksionimin e parlamentit.

“Duke dënuar me forcë provokimin e ulët të Grupit Parlamentar të PS përmes propozimit të ri të njëanshëm për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i rikujtoj se po nxit përmes veprimeve të njëanshme defunksionalizimin e Kuvendit dhe po i pamundëson opozitës përmbushjen e vullnetit të saj për të ushtruar rolin e vet në një shoqëri demokratike”, theksoi ai.

Në reagimin e tij, Bardhi kujtoi edhe një precedent të mëparshëm: “Në vitin 2012, ndryshimi vetëm me konsensus i Rregullores së Kuvendit ishte kusht i Komisioni Europian që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE. Po sot? Sot është kthyer në një leckë me të cilën mazhoranca e korruptuar e Edi Ramës provokon çdo muaj opozitën, edhe kur kësaj të fundit i jep të drejtë njëzëri Gjykata Kushtetuese. Pa asnjë grimcë ndjese, pa asnjë grimcë reflektimi”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme