Procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës-PDK dhe LDK: Shumica parlamentare po prodhon një krizë të re politike

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar duke shprehur keqardhjen që vendi po përballet me rrezikun e moszgjedhjes së presidentit të ri.
Sipas PDK-së, vendi po shkon drejt një krize të panevojshme institucionale.
“Numrat në Kuvendin e Kosovës janë të qartë dhe detyrimi kushtetues i shumicës parlamentare është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve. Përkundër mandatave që ia kanë besuar qytetarët, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar paaftësi për të qeverisur dhe papërgjegjshmëri, duke prodhuar kriza, polarizim dhe stagnim politik”, thuhet në komunikatën për media të PDK-së.
Sipas PDK-së në vend të një qasjeje të përgjegjshme dhe shtetërore, shumica parlamentare ka vendosur të kandidojë një kandidat tërësisht partiak, pa koordinim me subjektet e tjera dhe pa mundësinë e arritjes së konsensusit.
“Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar gjatë gjithë këtij procesi me maturi dhe përgjegjësi politike. Ne kemi marrë pjesë në konsultime, kemi hequr vijat e kuqe për të krijuar hapësirë për një zgjidhje dhe kemi qenë të gatshëm të mbështesim një kandidat konsensual që garanton unitet dhe stabilitet institucional”, thuhet tutje.
Gjithashtu, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar duke thënë se Lëvizje Vetëvendosje (VV) nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka besuar gjithmonë se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative, me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
LDK evidenton më tej se konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata.
“Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar. Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
LDK-ja vlerëson se mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon qëllim të mirëfilltë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




