28-vjetori i Epopesë së UÇK-së, Osmani: Simbolikë e veçantë. Kurti: Ngjarje përcaktuese në historinë moderne të Kosovës

Në një seancë të veçantë në 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së presidentja Vjosa Osmani vlerësoi sakrificën sublime të Jasharajve.
Ajo përmendi kontributin e ushtarëve dhe sakrificat që u bënë me 5, 6 dhe 7 mars.
“Sot, kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin, rikujtojmë çastin kur Kosova vendosi të mos jetojë e përkulur. Tri ditët e Epopesë janë histori e shkruar me qëndresë, para së cilës përkulemi sot dhe do të vazhdojmë të përkulemi gjithmonë. 58 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë, krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por një thirrje për liri. Ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe mbarë kombin, por edhe ndërgjegjen e botës”, u shpreh ajo.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në seancën solemne për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, foli për historinë e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998. Ajo tha se shtëpia e zakonshme e familjes Jashari u kthye në qendrën e një përballje që ndryshoi historinë e Kosovës.
“Në marsin e vitit 1998 në Prekaz shtëpia e Jasharëve ishte si shtëpitë e tjera në Kosovë. Një oborr i zakonshëm, mure të ngritura me shumë mund. Një prag që hapej e mbyllej çdo ditë për fëmijë që hynin e dilnin, gra e burra që mbanin familjen dhe shtëpinë. Në agimin e 5 marsit, forca të shumta policore dhe ushtarake serbe izoluan fshatin. Zunë pozicione me mjete të blinduara dhe artileri të rëndë. Një aparat i tërë shtetëror dhune u përqendrua para familjes Jashari. Shtëpia u rrethua, rrugët u bllokuan, lëvizja u ndërpre. Komandanti Adem Jashari dhe gjithë Jasharët atë ditë e dinin se çfarë dite kishte ardhur. Shtëpia që deri dje ishte e zakonshme u kthye në qendër të një përballjeje që ndryshoi historinë. Në tri ditë luftime, e gjithë historia e Kosovës kaloi përmes Jasharëve dhe qëndresës së tyre”, theksoi Haxhiu.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e konsideroi aktin më i madh i historisë sonë kombëtare.
“Në Prekaz historia u shkrua me zjarr dhe me gjak. Toka u bë altar i lirisë dhe një familje u bë simbol kombëtar. Figura e kryekomandantit legjendar Adem Jashari, e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e familjes dhe të bashkëluftëtarëve të tij, u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin”, tha Kurti.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në 28-vjetorin e Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës foli për sakrificën e familjes së Jashari në mars të vitit 1998, duke e cilësuar atë si moment që i dha kuptim historisë së Kosovës.
Në 5 mars 1998, Adem dhe Hamzë Jashari bashkë me familje u rrethuan nga forcat serbe në shtëpinë e tyre në Prekaz. Ata po kërkoheshin nga policia serbe për shkak të disa aksioneve të armatosura që kishin ndërmarrë, si rebelim ndaj shtypjes të popullatës shqiptare nga regjimi jugosllav. Qëndresa historike e familjes Jashari kundër aparatit shtetëror jugosllav zgjati tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars. Gjatë luftimeve treditore u shuan Adem dhe Hamzë Jashari bashkë me familje, përfshirë edhe disa fëmijë. Më e reja, Blerina, e bija e Hamzës ishte vetëm 7 vjeçe. Masakra e familjes Jashari nxiti protesta masive në Kosovë dhe shënoi fillet e kryengritjes mbarëpopullore për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e dalë publikisht në skenë disa muaj më parë, aksionet sporadike i ktheu në rezistencë të organizuar dhe luftë frontale për çlirimin e Kosovës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




