Edi Rama prezanton librin e tij “Në Sofrën e Hënës”: Afër Kuvendit do ngremë muzeun “Besa” dhe atë të fesë islame
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar librin e tij të ri “Në Sofrën e Hënës” për të cilin tha se ishte një ide që lindi si rezultat i eksperiencave të tij si kryeministër në organizimin e iftareve.
Gjithashtu, Rama shpjegoi se libri ka ardhur edhe si rezultat i shtysës së “disa miqve myslimanë që agjërojnë që t’i përmblidhja këto fjalë dhe e thashë edhe më parë që sot dëshirova që prezantimin ta bënim në mënyrë modeste.”
“Ky libër është një përmbledhje e mbrëmjeve të iftarit të cilat kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin t’i organizoj në funksionin që kanë duke çelur një traditë sa i përket funksionit tim që shkon sipas meje të paktën, përtej sofrës së atyre që agjërojnë pasi për mua dhe gjithmonë e më shumë e si rezultat i kësaj eksperience sofra e iftarit është përtej agjëruesve dhe është një moment i bukur për të bashkuar njerëz që vijnë jo vetëm nga rrugë të ndryshme të jetës por edhe nga sfonde të ndryshme të besimeve të tyre. Ka qenë shtysa e disa miqve myslimanë që agjërojnë që t’i përmblidhja këto fjalë dhe e thashë edhe më parë që sot dëshirova që prezantimin ta bënim në mënyrë modeste”, u shpreh Rama.
Duke nënvizuar bashkëjetesën fetare në Shqipëri, Rama tha se pranë Kuvendit të Shqipërisë do të ngrihet muzeu i fesë islame dhe muzeu i quajtur “Besa” që tregon raportin e shqiptarëve me hebrenjtë.
“Kemi edhe një projekt shumë të bukur, për të ngritur muzeun e artit islam në Shqipëri. Ne nuk e kemi një muze për fat të keq. Të gjitha vendet që kanë një kulturë islame në organizimin e tyre kanë një muze të tillë. Por edhe vende që nuk kanë një kulturë të mirëfilltë islame bashkëkohore, por mund t’i kenë në të shkuarën rrënjët islame, e kanë një muze të tilllë dhe do të jetë shumë e bukur se do të ngrihet te Ish-Sarajet e Toptanëve pranë kalasë së Tiranës, ngjitur me Parlamentin dhe po në atë oaz do të ngrihet muzeu tjetër, i quajtur muzeu “Besa” që do t’i bëjë jehonë marrëdhënies sonë me hebrenjtë dhe që do të sjellë në jetën tonë kulturën tonë bashkëkohore hebraike. Në një farë mënyrë plotësohet një mozaik”, deklaroi Rama.
Ndërkaq, sa i përket librit, ai saktësoi se libri mund të dilte që para panairit të librit por u la që të dilte ditët e fundit, ndërsa vuri në dukje se falë “eksperiencës së këtyre iftareve që më kanë pasuruar me thënë të drejtën dhe më ka nxitur që të hyj pak më thellë në qasjen, në fjalën dhe në kulturën e islamit”
“Arlinda e kishte gati librin para panairit të librit por nuk ia dhashë dritën jeshile për ta nxjerrë në panair sepse vetvetiu do të krijohej një tërheqje e pamerituar për të gjithë ata autorë të tjerë që e kanë panairin një moment të rëndësishëm.
Për mua fjalëgdhendësi i fundit në bulevardin e Tiranës, është këtu me ne; Aurel Plasari, dëshmi e faktit që sofra e iftarit na bën bashkë përtej vijave që na ndajnë në bulevard. Ndërkohë nuk dua të flas më gjatë, kam respekt dhe u jam mirënjohës për ata miq që i kam rrotull dhe e praktikojnë këtë fe por u jam mirënjohës eksperiencës së këtyre iftareve që më kanë pasuruar me thënë të drejtën dhe më ka nxitur që të hyj pak më thellë në qasjen, në fjalën dhe në kulturën e islamit.
Me thënë të drejtën besoj që përtej atij sloganit që e përsërisim shpesh të bashkëjetesës fetare qëndron një thesar kulturash që vijnë nga feja këtu te dhe që meritojnë të kenë përkushtimin, përkujdesjen dhe admirimin tonë dhe për arsyen se mund të ndihmohen njerëzit që ta shohin fenë përtej paragjykimeve, stereotipave që janë gjëja më e rrezikshme sidomos kur flitet për islamin”, theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



