Kosovë, përplasje në Komisionin për Legjislacion,  miratohen ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga populli

Kosovë | 7 muaj më parë

Komisioni për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës ka miratuar mbrëmjen e sotme ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani, të cilat i hapin rrugë zgjedhjes së kreut të shtetit me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Me 6 vota pro dhe 2 kundër, nisma ka kaluar filtrin e parë komisionar dhe tashmë pritet t’i drejtohet seancës plenare. Megjithatë, mbledhja u karakterizua nga debate të ashpra dhe polarizim të thellë mes përfaqësuesve të mazhorancës (LVV) dhe atyre të opozitës (PDK dhe LDK), duke nxjerrë në pah një krizë të thellë besimi dhe konsensusi politik.

Argumentet e mazhorancës: “Koha që populli të flasë”

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në komision argumentuan se rrethanat aktuale e bëjnë të domosdoshme kalimin e kësaj reforme, e cila synon të shmangë pazaret politike në Kuvend. Ata u mbështetën në faktin se këto amendamente, ndonëse të hartuara në vitin 2011, e kanë marrë tashmë dritën e gjelbër nga Gjykata Kushtetuese.

Adnan Abrashi (LVV), theksoi se procedura e vlerësimit kushtetues është e ezauruar dhe pyetja thelbësore mbetet te vullneti politik për t’i dhënë sovranit të drejtën e zgjedhjes.

“A do të duhej ne si deputetë ta avancojmë demokracinë deri në atë përmasë sa që qytetarët ta zgjedhin të parin e shtetit pa iu nënshtruar interesave të partive politike?” pyeti ai.

Vigan Qorrolli (LVV), kërkoi që komisioni të fokusohet te përmbajtja dhe jo te procedurat periferike, duke theksuar se përderisa nuk ka një precedent të ri, vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese mbetet funksional.

Adnan Rrustemi (LVV), mbrojti thirrjen me urgjencë të komisionit, duke e justifikuar me rrethanat aktuale politike. Sipas tij, tre elementet thelbësore (propozuesi i autorizuar, vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe votimi i dyfishtë në Kuvend me 2/3) janë plotësuar ose janë në rrugë e sipër për t’u plotësuar.

Opozita kundër: “Nuk ka krizë kushtetuese, por krizë politike”

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës e cilësuan këtë lëvizje si një tentativë për të mbuluar dështimin e gjetjes së një kompromisi politik për zgjedhjen e presidentit, duke përdorur Kushtetutën si mjet për interesa afatshkurtra. Votat kundër erdhën nga anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda dhe Blerta Deliu-Kodra.

Kryesuesi i Komisionit, Përparim Gruda (PDK), theksoi se procedimi i amendamenteve të vitit 2011 është një shkelje flagrante e Rregullores së Kuvendit. Sipas tij, amendamentet duhet të shqyrtohen brenda 7 ditëve pas vendimit të Kushtetueses. Për më tepër, ai vuri në dukje se Kushtetuta e vitit 2011 ka ndryshuar thelbësisht, duke pasur mbi 20 amendamente të reja dhe dhjetëra interpretime të reja nga vetë Gjykata.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra (PDK) deklaroi se Kosova nuk ka një ngërç kushtetues, por vuan nga mungesa e shumicës parlamentare.  

“Kushtetuta nuk mund të ndryshohet për t’i zgjidhur interesat personale të askujt. Kosova ka krizë për të siguruar marrëveshje politike dhe konsensus.”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, kritikoi ashpër urgjencën me të cilën po trajtohet ky proces. Ajo kujtoi se ndryshimet e rëndësishme kushtetuese kërkojnë analizë dhe debat të gjerë shoqëror, dhe jo të përdoren si mjet shpëtimi gjatë krizave politike.

Çfarë pritet të ndodhë?

Pavarësisht kundërshtimeve procedurale dhe thelbësore nga opozita, votat e mazhorancës në komision i kanë hapur rrugë dërgimit të dosjes në seancë plenare. Për t’u miratuar përfundimisht, këtyre amendamenteve u duhet mbështetja e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe 2/3 e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë—një sfidë e vështirë matematikor në peizazhin e sotëm të polarizuar politik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme