Rama inspekton aksin Librazhd–Prrenjas pas stabilizimit të rrëshqitjeve: Faktori ishte natyror, por u kthye në burim helmi për opinionin publik
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një inspektim në aksin rrugor Librazhd–Prrenjas, ku qarkullimi është stabilizuar dhe kalohet normalisht për të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato të tonazhit të rëndë, përmes një devijimi provizor.
Në këtë segment rrugor ndodhi një rrëshqitje toke në një gjatësi rreth 150 metra, e cila sipas autoriteteve nuk ka lidhje me punimet në kantierin prej 35 kilometrash të Korridorit VIII.
Rama deklaroi se situata është përdorur për spekulime dhe manipulime në debatet politike dhe mediatike. Sipas tij, rrëshqitja e dheut është shkaktuar nga faktorë gjeologjikë dhe nga reshjet e shumta të shiut, dhe jo nga punimet e Korridorit VIII.
Rama theksoi se puna në kantier nuk është ndalur asnjë ditë dhe se ndërhyrjet për stabilizimin e zonës do të vazhdojnë, ndërsa e cilësoi ngjarjen si një fatkeqësi natyrore që po trajtohet nga ekipet teknike.
“U kthye në një burim helmi ku u furnizuan me ditë e net të tëra 700 tenxhere politike e mediatike, ndërkohë që puna nuk ka ndalur asnjë ditë dhe, bashkë me diellin, ka dalë edhe e vërteta e qartë e atij bllokimi që shqetësoi me të drejtë të madh e të vogël përgjatë atij aksi.
E gjithë tollovia e madhe se u shemb rruga është një manipulim i madh, sepse faktikisht këtu jemi në aksin e vjetër dhe aksi i ri ende nuk është ndërtuar këtu. Ajo është një rrëshqitje e shkaktuar nga faktori gjeologjik për shkak të ngarkesës nga shirat.
Ajo që është kriminale në raport me publikun, ku ka zhurma të mëdha, është se duhet të presësh të bjerë fryrja e madhe e një plage për të adresuar shkaqet, ndërkohë që një plagë e kësaj natyre, që nuk ka dorë njeriu, kthehet në një burim helmimi të vazhdueshëm të opinionit publik. Mbrojtja lumore është e standardeve më të larta dhe puna vazhdon. Normal që ndodhin edhe këto të papritura, që në këtë rast është një fatkeqësi natyrore”, tha Rama.
Ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili shoqëronte kryeministrin gjatë inspektimit, tha se ekipet kanë punuar pa ndërprerje për rreth 10 ditë për të stabilizuar situatën dhe për të hapur qarkullimin përmes një rruge provizore.
“Është punuar non-stop për 10 ditë dhe tashmë qarkullimi është hapur me një rrugë provizore. Sistemi i ndërhyrjes në këtë zonë parashikon edhe ndërtimin e një rruge alternative. Po bëhen gjithashtu punime mbrojtëse për të mos lejuar rrëshqitje të mëtejshme të tokës,” u shpreh Karakaçi.
Pas inspektimit, Rama u takua edhe me banorët e zonë ku tha se rruga nuk u shemb nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi, por nga faktorë natyrorë. Rama foli edhe për punimet e Korridorit të VIII, ku tha se janë vendosur disa afate të reja për këtë vepër strategjike për vendin.
“Me demek, u shemb rruga nga korrupsioni, por është e qartë që segmenti është i vjetër dhe rrëshqitja lidhet me një fenomen natyror. Gështenja udhëton me një qëndrueshmëri të madhe, ndërsa vërtetë ndodhet në vështirësi, por në fund del dhe fiton. Duhet vetëm durim dhe këmbëngulje për të vazhduar drejt. Më vjen keq që kjo gjë ka ndodhur dhe ka prishur ritmin e jetës për shumë banorë. Por jemi këtu edhe për të bërë qartësi mbi një kalendar pune dhe mbi afatet e reja që i kemi vendosur vetes.
Korridori VIII është një aks strategjik që po bëhet realitet dhe vendos Shqipërinë në një pozicion të veçantë në rajon”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




