Çështja Gërdeci, Mediu: Procesi ndaj meje, sajesë politike
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu deklaroi në një konferencë për shtyp se procesi gjyqësor ndaj tij për çështjen e Shpërthimi i Gërdecit është një sajesë politike dhe se nuk ka qenë i përfshirë në asnjë akt korrupsioni.
“Procesi ndaj meje s’ka të bëjë me asnjë veprim apo vendim që ka të bëjë me tragjedinë ndaj Gërdecit. Fatkeqësisht procesi ndaj meje është vetëm një sajesë politike e cila përpiqet të luaj me tragjedinë e Gërdecit”, tha Mediu.
Ai tha se menjëherë pas ngjarjes dha dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes dhe dorëzoi imunitetin për t’i hapur rrugë hetimeve. Sipas Mediut, prokuroria ka provuar se ai nuk ka kryer korrupsion dhe për këtë arsye po gjykohet vetëm për shpërdorim detyre.
“Që në fillim kam dhënë dorëheqjen dhe kam dorëzuar imunitetin për t’i hapur rrugë drejtësisë, që të bëhet hetim i plotë, përfshirë edhe përgjegjësinë e ministrit. Prokuroria dhe SPAK më kanë hetuar mua dhe familjarët e mi edhe për çështje private, shëndetësore, në çdo veprim, brenda dhe jashtë Shqipërie, 360 gradë, por vete SPAK ka provuar se unë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë akt korrupsioni dhe prandaj më ka akuzuar për shpërdorim detyre. Unë po gjykohem për shpërdorim detyre”, tha Mediu.
Ai theksoi se akuza lidhet me çështje teknike ushtarake, si klasifikimi i kalibrave dhe transporti i municioneve, ndërsa shtoi se gjatë 18 viteve nuk është provuar se ka shkelur ligjin. Mediu shtoi se çështja është dërguar në gjykatë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe se prej vitesh ai po përballet me një proces që e konsideron të padrejtë.
Gazetare: Rrugova Dushnica
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



