Kurti bisedë telefonike me Komisioneren Kos: Integrimi në BE, prioritet kyç i qeverisë së Kosovës

Kosovë | 7 muaj më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.

Në fokus të bisedimeve mes tyre ishte zgjerimi i BE-së dhe ecuria e reformave në Kosovë me qëllim integrimin europian.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, bëhet me dije se integrimi në BE, mbetet prioritet kyç i qeverisë së Kosovës.

“Kryeministri nënvizoi rëndësinë e marrjes së statusit kandidat si hap të rëndësishëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Po aty thuhet se kryeministri Kurti theksoi se ndër vendimet e para të Kuvendit të Republikës së Kosovës, krahas miratimit të buxhetit të ri në vlerë prej 4 miliardë euro, ishte edhe miratimi i Planit të Rritjes në vlerë prej 882.6 milionë euro, i cili synon përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Kurti dhe Kos, bëhet e ditur se folën edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, duke kujtuar faktin se Kosova është e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i është bashkuar paketës së sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, në përgjigje të luftës së agresionit të saj kundër Ukrainës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme