Manovra të rrezikshme dhe të shtëna me armë, zbardhet ngjarja në Shkodër, arrestohen 2 persona, në kërkim 40-vjeçari me precedentë kriminalë

Aktualitet | 7 muaj më parë

Zbardhet ngjarja e rëndë e ndodhur një ditë më parë në Shkodër, ku gjatë ndjekjes së një automjeti u kanosën me armë zjarri punonjës të Policisë. Si rezultat i veprimeve hetimore, dy persona janë vënë në pranga, ndërsa një 40-vjeçar me precedentë kriminal është shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi një ditë më parë ( 9 mars) rreth orës 15:10, në lagjen “Guerrile”. Gjatë patrullimit, efektivët i bënë shenjë ndalimi një automjeti që drejtohej nga një 43-vjeçar. Ky i fundit nuk iu bind urdhrit të policisë dhe vijoi lëvizjen duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme.

Pas ndjekjes nga policia, dyshohet se nga automjeti zbriti një 40-vjeçar me precedentë të theksuar kriminalë, i cili gjatë largimit qëlloi me pistoletë në ajër me qëllim kanosjen e punonjësve të policisë.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Risku”, u arrestuan në flagrancë drejtuesi i automjetit, 43-vjeçari me inicialet E.B., si dhe një pasagjer i mitur, 17 vjeç, të dy banues në lagjen “Guerrile”. Ndërkohë, policia shpalli në kërkim 40-vjeçarin B.B., i cili rezulton me precedentë për armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe vjedhje.

Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit tip pistoletë me municion, që dyshohet se u përdor gjatë ngjarjes, si dhe automjetin tip “Seat Volkswagen” me të cilin lëviznin personat e përfshirë.

Autoritetet bëjnë me dije se vijon puna intensive për kapjen e 40-vjeçarit të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodër për veprime të mëtejshme. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Njoftimi i plotë:

Shkodër/Zbardhen autorësia dhe rrethanat e rastit të pasdites së djeshme, në lagjen “Guerrile”, ku u kanosën me armë zjarri, punonjës të Policisë, gjatë ndjekjes së një automjeti.

Arrestohen drejtuesi dhe pasagjeri (i mitur) në automjetin me të cilin lëvizte 40-vjeçari që qëlloi me armë zjarri, në ajër, për të kanosur punonjësit e Policisë.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim 40-vjeçari, shtetas me precedent të theksuar për disa veprimtari kriminale.

Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë) me municion, e përdorur në këtë rast.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, të kryera per sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e autorësisë së rastit të datës 09.03.2026, kur rreth orës 15:10, në lagjen “Guerrile”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe Komisariatin e Policise Shkoder zhvilluan operacionin e koduar “Risku”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasi E. B., 43 vjeç dhe një 17-vjeçar, të dy banues në lagjen “Guerrile”.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi B. B., 40 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, me precedent për armëmbajtje pa leje, prodhim/shitje narkotikësh dhe vjedhje.

Dje, gjatë patrullimit në këtë zonë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, automjetit që nga hetimet rezultoi se e drejtonte 43-vjeçari dhe kishte pasagjerë të miturin dhe shtetasin e shpallur në kërkim.

43-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme me automjet. Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit.

Gjatë ndjekjes, shtetasi B. B. dyshohet se ka zbritur nga automjeti, dhe gjatë largimit, ka qëlluar me armë zjarri (pistoletë), ne ajër me qëllim kanosjen e punonjësve të Policisë.

Arma e zjarrit me municion e dyshuar e përdorur nga shtetasi B. B., u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Volkswagen Seat” me të cilin leviznin këta shtetas.

Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit B. B..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme