Rriten problemet me shtyllën  kurrizore – Fizioterapistët: Mbipesha dhe mungesa e aktivitetit fizik faktorët kryesorë

Shëndet | 7 muaj më parë

Problemet me shtyllën kurrizore po shtohen gjithnjë e më shumë në popullatë. Sipas specialistëve të fizioterapisë, faktorë të tillë si mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik dhe lëvizjet e gabuara gjatë përditshmërisë janë ndër shkaqet kryesore që çojnë në shfaqjen e dhimbjeve, veçanërisht në pjesën e poshtme të shpinës.

Pedagogu i Fizioterapisë në Universitetin e Shkodrës Sebstjan Mjekaj, shpjegon se mbipesha ndikon drejtpërdrejt në shtyllën kurrizore, sidomos në pjesën lumbare, duke krijuar atë që specialistët e quajnë mikrotrauma të përsëritura.

“Problemet më të shpeshta që ne hasim si fizioterapist janë problemet e shtyllës kurrizore,. Mbi pesha eshte një faktor shumë i rëndësishëm që ndihmon në atë që ne e quajmë mikrotrauma të përsëritura. Këto faktor që ne i përmendem ka një rritje të vazhdueshme të atyre personave që kërkojnë ndihmë për problemet e shtyllës kurrizore”, u shpreh Sebastjan Mjekaj, Pedagog i Fizioterapisë në Universitetin e Shkodrës.

Pedagogu Mjekaj, ka edhe një mesazh për qytetarët, ruajtja e shëndetit të shtyllës kurrizore varet shumë nga aktiviteti fizik i rregullt, ushtrimet e përditshme dhe kujdesi gjatë lëvizjeve, për të shmangur dëmtimet dhe dhimbjet afatgjata.

“Të ruajnë shëndetin e tyre përmes ushtrimeve fizike, aktivitetit fizik sepse janë ndërhyrjet më të mira që mund të bëjnë për shëndetin e tyre”, tha ai.

Specialistët nënvizojnë se me pak përpjekje në aktivitetin fizik dhe vëmendje gjatë lëvizjeve, çdo qytetar mund të shmangë dhimbjet dhe të ruajë shëndetin e shpinës për të ardhmen.

Gazetar: M. Rakaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme