QSUT nis për herë të parë testet për veshin e brendshëm, Prof. Qirjazi: Diagnostikim më i saktë i problemeve
Problemet e veshit të brendshëm që në popullatë njihen si “veshi i mesit“ janë shumë frekuente.
Të dhënat e QSUT-së tregojnë se 1/3 e urgjencave të ORL-së e zënë pacientët që paraqiten me marrje mëndsh dhe diagnostikimi për dekada me radhë nuk ka qenë i plotë.
“Marramendja nuk është një problem vetëm i veshit të brendshëm. Mund të jetë një problem që lidhet me sytë, problem që lidhet me kolonën, sepse janë tre sisteme informacioni ose mund të jenë të treja bashkë. Detyra jonë është të ndajmë kush është problemi ekzaktësisht dhe pastaj kjo do të udhëheqë edhe trajtimin”, tha Prof. Dr. Brikena Qirjazi, shefe e ORL, QSUT.
Për herë të parë tashmë testimi vestibular për pacientët që vuajnë nga veshi i brendshëm ofrohet i plotë në kabinetin e ngritur për këtë diagnozë. Kjo do të sigurojë burimin e dhimbjes së veshit të brendshëm dhe më tej trajtimin e saktë për atë pjesë të prekur.
“Secili nga testet mat pjesë të ndryshme të funksionit të veshit të brendshëm për të kuptuar pastaj të tërin se si funksionon”, tha Qirjazi.
Simptomat më tipike të problemeve që lidhen me sistemin vestibular janë marramendja dhe problemet e ekuilibrit, por sëmundjet që shkaktojnë vertigo janë të ndryshme.
“Ajo që shoh në praktikën time të përditshme është që keqdiagnostifikohen problemet, i adresohen veshit të brendshëm probleme që nuk janë të veshit të brendshëm, ose ka raste që edhe me klinikë nuk arrin ta ndash ku është problemi i pacientit. Shumica janë mosha të mesme”, tha ajo.
Në Shqipëri mungon rehabilitimi vestibular. Ajo nuk është pjesë e mjekëve të ORL por e fizioterapeutëve të cilët duhet të realizojnë programe të individualizuara.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





