PS mbledh më 21 mars Asamblenë Kombëtare. Klosi: Riorganizojmë strukturat, zgjedhje të brendshme për organizatat dhe forumet lokale

Politikë | 7 muaj më parë

Partia Socialiste e Shqipërisë do të mbledhë Asamblenë Kombëtare më 21 mars, ku pritet të diskutohet programi zgjedhor i partisë dhe procesi i riorganizimit të strukturave në të gjithë vendin.

Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë. Sipas tij, mbledhja e sotme ishte një takim pune që i hap rrugë zhvillimit të Asamblesë Kombëtare. Ai theksoi se ky është edhe një vit kalendarik i rëndësishëm për PS-në, pasi në zbatim të statutit të partisë do të zhvillohet një proces zgjedhor në të gjitha strukturat vendore.

“Mbledhja e sotme e Kryesisë ishte një mbledhje pune e Partisë Socialiste, e cila i hapi rrugë thirrjes së Asamblesë Kombëtare më 21 mars, një asamble që do të përcaktojë një program të detajuar zgjedhor për PS.

Viti në të cilin ndodhemi është një vit kalendarik që, në zbatim të statutit të PS-së, do të kërkojë një proces zgjedhor në të gjitha strukturat vendore të partisë. Ky proces do të nisë me zgjedhjen e kryetarëve të organizatave dhe do të vijojë me zgjedhjen e forumeve lokale të PS-së, një proces që zhvillohet çdo dy vjet dhe ka për qëllim riforcimin e strukturës së PS-së në të gjithë vendin. Procesi do të përfshijë të gjitha forumet e PS-së, të zgjedhurit e saj dhe do të shtrihet në çdo qelizë të partisë në të gjithë vendin”, u shpreh Klosi.

Sipas Klosit, në Asamblenë e 21 marsit do të zhvillohen diskutime të gjera me anëtarët për procesin e ri të zgjedhjeve të brendshme dhe për anëtarësime të reja në parti. Ai shtoi se një tjetër fokus do të jetë edhe organizimi i strukturave të partisë në diasporë, duke e konsideruar këtë dimension të rëndësishëm për funksionimin e PS-së.

“Procesi do të përfshijë të gjitha forumet e PS-së, të zgjedhurit e saj dhe do të shtrihet në çdo qelizë të partisë në të gjithë vendin. Në mbledhjen e datës 21 do të kemi diskutime për përfshirjen e të gjithë anëtarëve të asamblesë, një proces që do t’i hapë rrugën zgjedhjeve të reja dhe anëtarësimeve të reja. Procesi do të kanalizohet në zgjedhjen e organizatave dhe drejtuesve lokalë të PS-së, por edhe në një dimension të ri, që është ‘Partia në diasporë’. Do të ketë vendimmarrje për shtrirjen e strukturave dhe organizimin e tyre në degët tona në diasporë dhe në vendet ku kemi pasur numrin më të madh të votave”, u shpreh ai.

Klosi nënvizoi gjithashtu se ky proces organizativ do të kulmojë në 12 qershor, datë në të cilën shënohet 35-vjetori i Partisë Socialiste.

 “12 qershori i këtij viti shënon 35-vjetorin e Partisë Socialiste dhe i gjithë procesi do të kurorëzohet në këtë datë me një rivlerësim të kontributeve të anëtarësisë së PS-së, themeluesve, kontributorëve dhe anëtarëve të rinj”, theksoi Klosi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme