VKM/ “Sistem kanalizimesh në Spitallë, Porto Romano dhe Shkozet”, Karakaçi: Trenë të elektrifikuar në hekurudhën Tiranë-Durrës

Aktualitet | 7 muaj më parë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi pas mbledhjes së qeverisë ka bërë të ditur disa projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe energjetike, që përfshijnë investime në sistemin e kanalizimeve në Durrës, zhvillimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe vendime për shpronësime në veri të vendit.

Gjatë mbledhjes së Komitetit të Programeve Strategjike, ministri prezantoi projektin për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve që do të shërbejë për qytetin e Durrësit dhe zonat përreth, përfshirë Spitallën, Porto Romanon dhe Shkozetin.

Sipas tij, projekti do të aplikohet në kuadër të investimeve të Bashkimit Evropian dhe ka një vlerë totale prej 67 milionë eurosh. Ai shtoi se nëse miratohet, rreth 47.7 milionë euro do të përfitohen në formën e granteve.

Karakaçi theksoi se projekti mbështetet edhe nga Agjencia Franceze e Zhvillimit dhe synon ndërtimin e rrjeteve të kanalizimeve në zona rezidenciale, duke i dhënë një zgjidhje të qëndrueshme menaxhimit të ujërave të ndotura në qytetin e Durrësit.

“Në komitetin e programeve strategjike u prezantua sistemi i kanalizimeve për qytetin e Durrësit, Spitallë, Porto Romano dhe Shkozet.

AplikimI që do bëhet në kornizën e investimeve të Ballkanit Perëndimor, ka vlerë 67 mln euro. Nëse përfitohet ka 47.7 mln euro grante. Mbështetemi nga Agjencia Franceze e Zhvillimit. Ndërtojmë kanalizime në zonë rezidenciale duke i dhënë zgjidhje qytetit të Durrësit”, deklaroi ministri.

Ky i fundit foli gjithashtu për projektin e hekurudhës Tiranë-Durrës, që do të lidhet edhe me aeroportin e Vlorës. Për këtë projekt është siguruar një hua prej 11.7 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa janë përfituar edhe rreth 12.5 milionë euro grant.

Sipas Karakaçit, projekti ka një rëndësi të veçantë pasi trenat që do të operojnë në këtë linjë do të jenë të elektrifikuar, duke mos prodhuar emetime karboni dhe duke e afruar Shqipërinë me standardet e vendeve të zhvilluara që kanë kaluar në elektrifikimin e hekurudhave.

“Hekurudha Tiranë-Durrës  që lidhet me aeroportin e Vlorës. Një hua me BERZH në vlerën 11.7 mln euro. Kemi përfituar rreth 12.5 mln euro grant.

Ky projekt ka vlerë të rëndësishme sepse gjithë trenat e kësaj hekurudhe do jenë të elektrifikuar. Zero emetime karboni. Futemi te vendet e zhvilluara që kanë kaluar në elektrifikim të hekurudhave”, tha ai.

Në mbledhje u miratuan edhe dy vendime për shpronësime, një në hyrje të qytetit të Shkodër, që mundëson vijimin e projektit për zgjerimin e hyrjes në qytet, si dhe një tjetër në nyjën e Milot. Këto ndërhyrje synojnë përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit në këto zona.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme