Protesta e PD para Parlamentit, Policia e Tiranës njofton masat dhe akset që bllokohen nesër në Tiranë

Partia Demokratike e Shqipërisë pritet të zhvillojë ditën e nesërme një tubim para godinës së Parlamentit, duke nisur nga ora 10:00. Për mbarëvajtjen e këtij organizimi dhe garantimin e sigurisë, Policia e Tiranës ka bërë publike planin e masave, i cili përfshin bllokimin e disa prej akseve kryesore në kryeqytet.
Në një njoftim zyrtar për shtyp, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e mbështetur nga Drejtoria e Përgjithshme, bëri të ditur se masat janë ndërmarrë në përputhje me ligjin “Për tubimet”.
Kufizimet në qarkullim
Sipas autoriteteve, kufizimet e lëvizjes do të nisin që në orët e para të mëngjesit. Konkretisht, rruga “George W. Bush” do të jetë e bllokuar për qarkullimin e automjeteve nga ora 06:00 e mëngjesit deri në përfundim të plotë të tubimit.
Policia paralajmëron se, në varësi të dinamikës dhe zhvillimit të protestës, harta e bllokimeve mund të zgjerohet. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, forcat e rendit kanë planifikuar devijimin e trafikut në rrugë alternative për të shmangur kaosin në qarkullim.
Apeli për qytetarët
Krahas kërkesës për mirëkuptim lidhur me vështirësitë në qarkullim, Policia e Tiranës i ka drejtuar një apel të rëndësishëm qytetarëve dhe pjesëmarrësve në tubim.
“Apelojmë që të distancoheni në rast se gjendeni përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike,”, theksohet në njoftimin e uniformave blu, duke nënvizuar rëndësinë e një proteste paqësore dhe brenda kornizave ligjore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



