Irani mohon vendosjen e minave në Ngushticën e Hormuzit

Botë | 7 muaj më parë

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Majid Takht-Ravanchi, ka mohuar se Teherani po vendos mina në Ngushticën e Hormuzit, vetëm pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara deklaruan se kishin goditur anije të pajisura për një operacion të tillë pranë korridorit të rëndësishëm detar.

Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Agence France-Presse, Takht-Ravanchi tha se Irani ka bashkëpunuar me disa vende për kalimin e sigurt të anijeve në këtë ngushticë strategjike.

“Disa vende kanë folur tashmë me ne për kalimin nëpër Ngushticë dhe ne kemi bashkëpunuar me to”, u shpreh ai.

Megjithatë, diplomati iranian paralajmëroi se vendet që, sipas tij, “iu bashkuan agresionit” kundër Iranit nuk duhet të përfitojnë nga kalimi i sigurt në këtë zonë.

Sipas Takht-Ravanchit, qëllimi i Iranit është të sigurohet që një luftë e tillë të mos i “imponohet” më vendit në të ardhmen.

Ai kujtoi gjithashtu zhvillimet e konfliktit të fundit, duke thënë se kur lufta nisi në qershor të vitit të kaluar, pas 12 ditësh u shpall një ndërprerje e përkohshme e luftimeve.

“Por pas tetë apo nëntë muajsh ata u rigrupuan dhe e nisën sërish”, deklaroi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme