Takimi me Departamentin e Infrastrukturës në PD-Berisha: Mandati i Edi Ramës ka zero legjitimitet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një takim me Departamentin e Infrastrukturës në selinë e kësaj force politike theksoi se ky takim shënon fillimin e një procesi të gjerë konsultimi për të hartuar zgjidhje konkrete ndaj problemeve madhore që përballen sot shqiptarët.
Berisha renditi një sërë sfidash kritike të krijuara, sipas tij, nga qeverisja aktuale: korrupsionin, rritjen e e çmimeve pa rritje proporcionale të rrogave e pensioneve – duke çuar sipas tij në varfëri ose rrezik varfërie për gati gjysmën e popullsisë – si dhe degradimin e shërbimeve publike.
“Ne, sonte së bashku çelim tiparin e një diskutimi të gjerë intensiv të programit tonë, me të cilin ne duhet t’u japim përgjigjen më të plotë problemeve të mëdha me të cilat përballet sot Shqipëria.
Probleme të krijuara nga shkalla më e lartë e korrupsionit që mund të përfytyrohet, nga vjedhjet 100% të fondeve siç është djegësi i Tiranës, tek vjedhjet 90% të veprave të tjera publike, nga rrënimi i familjeve shqiptare për shkak të rritjes së madhe të çmimeve dhe pothuaj në raport me çmimet një mosrritje kurrkund e rrogave dhe pensioneve, çka ka bërë që 49% e shqiptarëve të jenë në varfëri ose rrezik varfërie. Shërbimet në këtë vend kanë pësuar një metamorfozë asgjësuese për rregullin dhe cilësinë që duhet të kenë. Pra, problematika është shumë e thellë”, u shpreh Berisha.
Më tej Berisha tha se Edi Rama ka zero legjitimet, pavarësisht se është në pushtet.
“Ndërkohë mandati, që e quan kreu i organizatës kriminale Edi Rama, është mandati kryekëput i krimit. Nuk po e them këtë për t’i vënë një epitet, por e them këtë sepse ky mandat ka zero legjitimitet. Pra, Edi Rama me farsën elektorale nuk ka asnjë ditë legjitime në pushtet. Por, një faktor tjetër tani, të cilin opozita e ka denoncuar çdo ditë, por edhe mediat, duhet të jemi realistë, një faktor tjetër është bërë faktor famëzi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, është faktori korrupsion, në të cilin kryeministri vetë njëherë me emër Belinda Balluku, njëherë tjetër me emër Ergys Agasi, është protagonist i aferave korruptive më të mëdha”, nënvizoi Berisha.
Sipas Berishës, “reagimi i tij, reagim tipik i hajdutit që për të shpëtuar lëkurën është i aftë të marrë çdo vendim dhe veprim, ishte mbyllja e dyerve hetimit dhe sistemit të drejtësisë”.
“Njeriu që në një paranojë injorance, sepse ai është një injorant i shpëlarë nga konceptet, sepse u garantoj ju dhe shqiptarët se nuk ka pasur kurrë në atë post një zyrtar më injorant dhe më të shpëlarë nga konceptet se ai. Kurrë!”, deklaroi më tej Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



