Ferit Hoxha telefonatë me homologun e Omanit: Kriza në Lindjen e Mesme kërcënon stabilitetin rajonal dhe rrugët ekonomike globale

Botë | 7 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një bisedë me Ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr bin Hamad Al Busaidi, ku u trajtuan zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe rreziqet që sjell përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës.

Në një postim në platformën “X”, Hoxha shkruan se, “Zhvillova një bisedë shumë të dobishme me Ministrin e Punëve të Jashtme të Omanit, Badr bin Hamad Al Busaidi për të shkëmbyer mendime mbi përshkallëzimin aktual në Lindjen e Mesme. Diskutuam rreziqet serioze që një përshkallëzim i mëtejshëm paraqet për stabilitetin rajonal, sigurinë ndërkombëtare dhe rrugët ekonomike globale, veçanërisht në rajonin e Gjirit.”

Gjithashtu ministri Hoxha vlerësoi rolin e Omanit si faktor konstruktiv në nxitjen e dialogut dhe ndërmjetësimit.

“Vlerësova rolin konstruktiv dhe të respektuar të Omanit në promovimin e dialogut dhe ndërmjetësimit.”

Ai shprehu mirënjohjen për kujdesin e treguar ndaj qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Oman:

“Gjithashtu shpreha mirënjohjen tonë për kujdesin dhe mbështetjen që autoritetet e Omanit u kanë ofruar qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Oman gjatë këtyre kohërave sfiduese.”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme