Hoxha telefonatë me homologun Mucunski: Integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me rëndësi strategjike për rajonin dhe BE-në

Politikë | 7 muaj më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Timco Mucunski, ku u riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal.

Në një postim në platformën X, Hoxha theksoi se “Këtë mëngjes pata një telefonatë të parë të dobishme dhe produktive me kolegun tim Timco Mucunski, duke riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për ne, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një vend fqinj dhe mik, por edhe një aleat i çmuar i NATO-s dhe një partner i ngushtë rajonal.”

Ministri nënvizoi se integrimi evropian i dy vendeve është me rëndësi strategjike, teksa shtoi se, “Ramë dakord se integrimi evropian i dy vendeve tona  dhe i të gjithë Ballkanit Perëndimor, është investimi më i mirë në stabilitet dhe siguri, si për rajonin tonë, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.”

Hoxha kujtoi gjithashtu përvjetorin e tragjedisë në Koçan, duke shprehur solidaritetin e Shqipërisë me institucionet dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

“Përsërita angazhimin e fortë të Shqipërisë për të qëndruar pranë Maqedonisë së Veriut në momentet që kërkojnë solidaritet dhe bashkëpunim më të fortë rajonal.”

Një tjetër pikë e rëndësishme e bisedës ishte zbatimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Hoxha u shpreh se “Riafirmuam rëndësinë e madhe të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, gurthemel i bashkëjetesës ndëretnike dhe stabilitetit institucional. Nënvizova rëndësinë e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, përmes zgjidhjeve që respektojnë parimet kushtetuese dhe pasqyrojnë karakterin shumëetnik të vendit.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme