Çështja “Veliaj”, mbrojtja i drejtohet Kushtetueses, kundërshton argumentet e Prokurorisë për paraburgimin

Aktualitet | 7 muaj më parë

Ekipi mbrojtës i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kundërshtimet zyrtare ndaj qëndrimit të Prokurorisë së Posaçme lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. Në dosjen e dorëzuar, mbrojtja e cilëson qasjen e prokurorisë si “një cenim të shtetit të së drejtës dhe një sulm ndaj mandatit të tij si i zgjedhur vendor”.

Përmes një përmbledhjeje të argumenteve, avokatët e Veliajt kanë kontestuar disa nga pikat kryesore mbi të cilat prokuroria ka mbështetur kërkesën për vijimin e masës së izolimit.

Prokuroria ka argumentuar në prapësimet e saj se rikthimi i Veliajt në detyrë do të krijonte një “presion objektiv” mbi vartësit, çka mund të cenonte lirinë dhe spontanitetin e dëshmive të tyre. Mbrojtja e ka kundërshtuar ashpër këtë logjikë, duke theksuar se legjitimiteti i një të zgjedhuri nuk mund të trajtohet apriori si një rrezik procedural. Sipas avokatëve, kjo përbën një sulm institucional ndaj vullnetit të qytetarëve.

Padia ndaj prokurorit të çështjes

Një pikë tjetër përplasjeje mbetet padia administrative e ngritur nga Veliaj dhe Bashkia e Tiranës për verifikimin e mandatit të prokurorit të çështjes, Olsi Dado.

Prokuroria e sheh këtë padi si një sulm ndaj hetimit dhe një përpjekje të Veliajt për të përdorur institucionin e Bashkisë për të krijuar konflikt artificial.

Ndërsa mbrojtja e cilëson ngritjen e padisë si një të drejtë themelore kushtetuese për akses në drejtësi. Avokatët argumentojnë se Bashkia e Tiranës ka interes të drejtpërdrejtë legjitim, pasi masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut po shkakton pasoja të përditshme në funksionimin e institucionit. Ata akuzojnë Prokurorinë e Posaçme se po ndërhyn institucionalisht për të mbrojtur një prokuror, procesi i të cilit duhet t’i lihet në dorë Gjykatës Administrative.

Kohëzgjatja dhe proporcionaliteti i masës

Mbrojtja thekson në Kushtetuese se mbajtja në paraburgim pa afat e Erion Veliajt ka tejkaluar çdo standard proporcionaliteti, përfshirë edhe udhëzimet e Komisionit të Venecias për të zgjedhurit vendorë. Ata argumentojnë se “masa ekstreme po zgjatet pa rrethana të reja konkrete që ta justifikojnë atë, duke rënduar drejtpërdrejt mbi mirëqeverisjen e kryeqytetit“.

Hapat e ardhshëm

Në përfundim të parashtrimeve, mbrojtja i kërkon Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse ky rast po krijon një precedent të rrezikshëm që cenon standardet e procesit të rregullt ligjor dhe funksionimin normal të institucioneve demokratike. Pritet që Gjykata Kushtetuese të marrë në shqyrtim dosjen për të vendosur mbi ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e masës së sigurisë.

Zanafilla e çështjes

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg” prej shkurtit të vitit 2025, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ai dyshohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “pastrimit të parave”, në një dosje ku janë përfshirë edhe disa biznesmenë si dhe bashkëshortja e tij, për të cilën u caktua masa “detyrim paraqitje”.

Që prej fillimit të procesit, Veliaj i ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar ato të pabazuara, ndërsa mbrojtja e tij ka kërkuar vazhdimisht zbutjen e masës së sigurisë (duke ofruar edhe garanci pasurore) me argumentin se nuk ekziston rreziku i prishjes së provave apo largimit dhe se kryebashkiaku ka qenë plotësisht i gatshëm për të bashkëpunuar me drejtësinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme