PD bojkoton seancën e së martës, Bardhi: Kuvendi është kthyer në fasadë, fokusi ynë te protesta e 22 marsit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën plenare të parashikuar për ditën e martë, duke e cilësuar atë si të paligjshme dhe në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit.
Përmes një reagimi zyrtar, Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksoi se mbledhja e thirrur nga Kryeparlamentari Niko Peleshi është jashtë ditës normale të seancave dhe shërben vetëm për axhendat personale të drejtuesve të mazhorancës.
Arsyet e bojkotit, mungesa e rendit të ditës
Sipas Bardhit, seanca e së martës nuk plotëson kriteret për të qenë një mbledhje normale parlamentare. Opozita argumenton se zhvillimi i seancës jashtë ditës tradicionale (të enjtes) dhe fakti që në rendin e ditës ka vetëm “miratim procesverbali dhe njoftime”, e zhvesh Kuvendin nga funksioni i tij thelbësor.
“Një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë,” u shpreh Bardhi, duke e cilësuar Kuvendin e sotëm si një “dyqan personal” që nuk i shërben interesit publik.
Akuzat ndaj mazhorancës
Në deklaratën e tij, numri dy i PD-së ngriti akuza të forta ndaj qeverisë, duke theksuar se institucioni ligjvënës është kthyer në një pengesë për integrimin e vendit. Sipas opozitës, në vend që Parlamenti të ushtrojë kontroll mbi qeverinë dhe të merret me problemet e qytetarëve, ai është kthyer në një instrument antidemokratik që po përdoret nga Kryeministri për të penguar drejtësinë në hetimin e korrupsionit.
Në përgjigje të asaj që e konsiderojnë një “fasadë parlamentare”, ligjvënësit e Partisë Demokratike kanë njoftuar një ndryshim të agjendës së tyre. Prioriteti i opozitës për këtë javë nuk do të jetë salla e Kuvendit, por takimet me qytetarët në mbarë vendin.
Fokusi kryesor i këtyre takimeve, sipas Bardhit, do të jetë mobilizimi i qytetarëve për protestën e paralajmëruar të 22 marsit, si pjesë e betejës së tyre për një “qeverisje të përgjegjshme dhe me tolerancë zero ndaj korrupsionit”.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




