“Taksa e qarkullimit të shkojë në nivelin e 2013″/ PD depoziton dy projektligje në Kuvend për uljen e çmimit të karburantit dhe forcimin e rezervave strategjike të naftës

Politikë | 7 muaj më parë

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka paraqitur sot në Kuvend një paketë me dy projektligje që synojnë uljen e çmimit të karburantit dhe lehtësimin e kostove për qytetarët dhe bizneset, nisur nga kriza e shkaktuar pas luftës SHBA-Izrael me Iranin.

Deputeti Eno Bozdo, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit të Ekonomisë, deklaroi se nafta në Shqipëri është ndër më të taksuarat në Europë. Sipas tij, rreth 60-65% e çmimit për litër përbëhet nga taksat, ndërsa mesatarja në vendet e BE-së është rreth 52%, dhe në shumë raste edhe nën 50%. Në vendet e OECD-së, kjo përqindje zbret në 40-45%.

Bozdo theksoi se shteti shqiptar përfiton rreth 125 lekë taksa për çdo litër nafte të shitur.

Paketa e propozuar nga Partia Demokratike përfshin uljen e taksës së qarkullimit në nivelet e vitit 2013. Një tjetër masë është aplikimi i modelit të “akcizës së ndryshueshme”, i përdorur në Italia, ku të ardhurat shtesë nga TVSH-ja për shkak të rritjes së çmimeve përdoren për të ulur akcizën, duke krijuar një mekanizëm që sipas tyre favorizon qytetarët.

Sipas Bozdos, nëse këto masa zbatohen, çmimi i naftës mund të ulet menjëherë nga rreth 220 lekë për litër në të paktën 175 lekë për litër.

Projektligjet trajtojnë gjithashtu edhe çështjen e rezervave strategjike të naftës. Aktualisht, sipas deklarimeve publike, Shqipëria ka rezerva që mbulojnë vetëm 30 ditë, ndërkohë që standardet e Bashkimit Europian kërkojnë mbulim për 90 ditë importe.

Sipas opozitës, masat e propozuara janë të zbatueshme dhe tashmë përdoren në disa vende të rajonit dhe në Bashkimin Europian.

DEKLARATA E PLOTË

Përshëndetje,

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një paketë ligjore me dy projektligje, me qëllim uljen e çmimit dhe mbajtjen nën kontroll, si dhe mbështetjen për konsumatorët, ekonominë familjare dhe atë prodhuese.

Këto mekanizma financiarë po përdoren gjerësisht nga vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Aktualisht, karburanti në Shqipëri (nafta) taksohet shumë rëndë, në nivelin më të lartë në Evropë. Rreth 60%–65% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksat që mbledh qeveria. Për krahasim, mesatarja në vendet e BE-së është rreth 52%, ndërsa në shumë prej këtyre vendeve është nën 50%. Në vendet e zhvilluara të OECD-së, taksimi është edhe më i ulët, rreth 40%–45%.

Sot, shteti shqiptar për çdo litër nafte të shitur merr rreth 125 lekë taksë. Me fjalë të thjeshta, çdo qytetar shqiptar paguan rreth 1,200 lekë të vjetra taksë për çdo litër nafte që konsumon, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me barrën më të lartë fiskale mbi karburantin dhe si rrjedhojë, me një nga çmimet më të larta në Evropë.

Për këtë arsye, Shqipëria ka sot karburantin më të shtrenjtë në Evropë, dhe në raport me fuqinë blerëse mbi dyfish krahasuar me vendet e rajonit.

Ndryshe nga Shqipëria, vendet e BE-së dhe OECD-së ofrojnë shërbime publike të standardeve të larta, duke ua rikthyer bujarisht këto taksa qytetarëve të tyre në formë përfitimesh konkrete.

Për këtë arsye, përmes kësaj pakete ligjore propozojmë:

– Uljen e taksës së qarkullimit në nivelin që ka qenë në vitin 2013,përpara se qeveria Rama ta rriste 4 fish;

– Aplikimin e modelit të “akcizës së ndryshueshme”, sipas praktikës së ndjekur nga Italia, ku teprica e TVSH-së nga rritja e çmimit të karburantit përdoret për uljen e akcizës, duke ofruar kështu një mekanizëm shumë të ndershëm dhe në dobi të qytetarëve.

Zbatimi i këtyre masave do të sillte një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës, nga rreth 220 lekë/litër qe po shitet sot, në të paktën 175 lekë/litër. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për qytetarët shqiptarë, të cilët sot përballen me vështirësi të rënda ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve dhe mungesës së paketave mbështetëse nga ana e qeverise.

Nga ana tjetër, propozimi ynë ligjor trajton edhe menaxhimin e rezervave strategjike të naftës, të detyrueshme sipas standardeve të BE-së.

Aktualisht, sipas deklarimeve publike, rezervat e naftës në Shqipëri mbulojnë vetëm 30 ditë, ndërkohë që standardi i BE-së bazuar në direktivën 2009/119/EC, kërkon mbulim për 90 ditë importe.

Dje Edi Rama, në një rast të rrallë sinqeriteti, deklaroi se siguria energjetike, dmth kombëtare, është në rrezik! Po, sepse ai pohoi dje me gojën e tij, se rezervat e naftës janë për momentin vetëm 30 ditë.

Kjo deklaratë është prova e dështimit të rëndë të qeverisë në menaxhimin e këtyre rezervave, duke lënë sigurinë tonë kombëtare në mëshirë të fatit !

Ky fakt përbën një shkelje shumë të rëndë të angazhimeve të Shqipërisë në procesin e saj të integrimit, sepse ajo ka detyrimin për të transpozuar këtë direktivë prej vitesh, pa pritur rastin e krizave ku pastaj dorëzohemi duke deklaruar se në fakt rezervat nuk i kemi!

Të nderuar qytetarë,

Paratë që ju paguani në formë taksash janë tuajat. Detyra e çdo qeverie të përgjegjshme është t’i rikthejë këto para në shërbim të qytetarëve, sidomos në kohë krize.

Nuk ka arsye që vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia e Veriut të kenë çmime 20%–30% më të ulëta për karburantin dhe mekanizma më efektivë kontrolli, në kohë krize. Vetëm në Shqipëri ndodh qe çmimi i karburanteve, sapo ndodh një krizë ndërkombëtarë, të reflektohet me rritje ekstreme brenda pak orësh. Kjo vjen për shkak të mungesës së mekanizmave të kontrollit dhe strategjive që qeveria shqiptare ka.

Po e mbyll këtë komunikim me një thirrje për maxhorancën: propozimi i Partisë Demokratike nuk është populist. Përkundrazi! Kjo paketë ligjore është e aplikueshme sot në shumë vende të rajonit dhe të BE.

Miratimi i kësaj pakete është një nevojë urgjente për qytetarët dhe ekonominë shqiptare, sepse siç kemi thënë gjithmonë, energjia më e shtrenjtë është ajo që mungon.

Nëse kjo nuk realizohet, arsyeja nuk është mungesa e mundësive, por mungesa e vullnetit.

Në datën 22 mars, kemi qindra arsye për të protestuar. Çfarë po ndodh me çmimin e naftës është një arsye më shumë. Ti tregojmë vetes dhe botës se shqiptarët nuk mund të jenë kurrë dakord me një qeveri, e cila grabit çdo çast popullin e saj, madje edhe në raste krizash të tilla.

Le t’i tregojmë vetes dhe botës se shqiptarët nuk pranojnë një qeveri që rëndon mbi qytetarët edhe në kohë krize.

Pjesëmarrja juaj është thelbësore për të ardhmen e familjeve tona dhe të vendit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme