Shëndeti mendor tek të rinjtë, psikiatrja: Sfidë në rritje! Thirrje për më shumë vëmendje
Problemet e shëndetit mendor janë në rritje, kryesisht tek të rinjtë, një fenomen që po shqetëson gjithnjë e më shumë specialistët e fushës.
“Kohët e fundit vërehet një prevalencë në rritje të problemeve të shëndetit mendor, kryesisht gjendjet e akthit, depresioni”, u shpreh Pranvera Alimani, psikiatre.
Sipas psikiatres Pranvera Alimani, shpeshherë shenjat e para kalojnë pa u vërejtur ose keqinterpretohen, duke u konsideruar si pjesë normale e moshës së adoleshencës.
“Zakonisht grupmoshat ku shfaqet për herë të parë janë të rinjtë mirëpo ndonjëherë ndodh një konfuzion, sjellje tipike të moshës ngatërrohen dhe neglizhohen dhe nuk marrin vëmendjen e duhur si shenjat e para të shëndetit mendor”, tha ajo.
Ajo thekson se ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në përkeqësimin e shëndetit mendor tek të rinjtë mbeten përdorimi i tepërt i teknologjisë, si dhe ekspozimi ndaj substancave narkotike.
“Teknologjitë kanë një impakt të drejtpërdrejtë në shëndetin mendor”, theksoi Alimani.
Shenjat më të zakonshme shpesh kalojnë pa u vënë re në fazat e hershme.
“ndryshim në mënyrën e të ushqyerit, qëndrimet vonë në orët e natës, rënia në performancë në mësime, izolimi janë shenja të para që nuk duhen neglizhuar”, tha psikiatrja.
Ekspertët apelojnë për më shumë vëmendje ndaj shëndetit mendor, duke theksuar se mbështetja familjare, komunikimi i hapur dhe qasja në shërbime profesionale janë kyçe për mirëqenien e të rinjve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





