Dhunë dhe molotov në protestën e opozitës- Policia arreston 15 persona, procedohet penalisht deputeti i PD dhe 9 qytetarë të tjerë
Policia e Shtetit ka arrestuar 15 persona dhe ka proceduar penalisht 9 të tjerë, pas ngjarjeve të dhunshme të ndodhura gjatë tubimit të organizuar nga Partia Demokratike më datë 22 mars, rreth orës 18:00, në kryeqytet.
Gjithashtu, materialet hetimore u referuan në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj deputetit K. B., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit në krim”.
Në njoftimi thuhet se gjatë protestës, disa pjesëmarrës kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë, si dhe hodhën lëndë djegëse (molotovë) në drejtim të tyre dhe ndaj disa institucioneve.
Si pasojë, 6 efektivë policie mbetën të dëmtuar dhe morën mjekim në spital, duke qenë jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, u shkaktuan dëmtime në godina, u dogjën disa kosha mbeturinash dhe një automjet policie.
Hetimet e Policisë identifikuan 24 shtetas të përfshirë në veprime të kundërligjshme.
Nga këta, 15 u arrestuan në flagrancë, ndërsa 9 të tjerë u proceduan penalisht, përfshirë pesë të mitur. Ndër të arrestuarit janë persona të moshave nga 19 deri në 58 vjeç.
Policia njofton se grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë
Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 24 shtetas.
Arrestohen 15 prej tyre dhe procedohen penalisht 9 prej tyre.
Gjatë tubimit u dëmtuan 6 punonjës policie.
Më datë 22.03.2026, rreth orës 18:00, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Gjithashtu, ata kanë hedhur në drejtim të tyre dhe ndaj disa institucioneve lëndë djegëse (molotovë). Si pasojë, 6 punonjës Policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit dhe morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Si dhe janë shkaktuar dëmtime në godinat përkatëse, janë djegur disa kosha mbeturinash, si dhe është djegur 1 automjet policie.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 24 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim: -u arrestuan në flagrancë shtetasit O. K., 43 vjeç; M. J., 53 vjeç; S. D., 48 vjeçe; E. H., 22 vjeç; A. M., 50 vjeç; A. K., 55 vjeç; A. K., 58 vjeç; K. T., 34 vjeç; F. D., 34 vjeç; H. D., 36 vjeç; Xh. T., 40 vjeç; Xh. K., 30 vjeç; E. T., 21 vjeç; I. Xh., 33 vjeç; dhe L. G., 19 vjeç. -nisi procedimi penal për shtetasit: K. M, E. H, L. M dhe për 5 shtetas të mitur.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Shtyrja e të miturit më krim”.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




