Ibrahimaj: Modernizojmë regjistrat e biznesit, në fokus digjitalizimi, transparenca dhe integrimi evropian

Tirana mirëpriti për herë të parë takimet e Shoqatës Evropiane të Regjistrave të Biznesit (EBRA), një rrjet europian që bashkon regjistrat e bizneseve dhe promovon standarde të përbashkëta për transparencën dhe shkëmbimin e të dhënave. Ky aktivitet, i organizuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), zhvillohet më 24–25 mars dhe përfshin grupet e punës për të drejtën e shoqërive tregtare, të dhënat e hapura dhe pronarët përfitues, duke trajtuar çështje kyçe mbi digjitalizimin dhe ndërveprueshmërinë e sistemeve të regjistrimit të biznesit në Evropë.
Në fjalën e saj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vlerësoi progresin e Shqipërisë në modernizimin e regjistrave të biznesit: “Sot, Shqipëria ofron një sistem tërësisht të digjitalizuar për regjistrimin dhe shërbimet e biznesit. Aplikimet kryhen online, proceset janë të shpejta dhe të standardizuara, ndërsa regjistrimi realizohet brenda 24 orëve. Ky transformim ka rritur efikasitetin, ka ulur kostot për sipërmarrjen dhe ka forcuar besimin te institucionet. Në të njëjtën kohë, kemi avancuar me reforma të rëndësishme ligjore, në funksion të përafrimit me acquis të Bashkimit Europian. Punojmë për përmirësimin e kuadrit për pronësinë përfitues, për rritjen e transparencës dhe për garantimin e aksesit në të dhëna të sakta dhe të besueshme. Rezultatet janë konkrete. Shqipëria vlerësohet pozitivisht në indekset ndërkombëtare për efikasitetin administrativ dhe për lehtësinë e të bërit biznes, duke u pozicionuar ndër vendet më të avancuara në rajon në këtë drejtim.”
Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i QKB-së, Etugert Llazi, theksoi rëndësinë e këtij eventi për institucionin dhe vendin: “Fakti që ky takim zhvillohet për herë të parë në Shqipëri përbën një moment të rëndësishëm dhe një vlerësim konkret për progresin e arritur në zhvillimin e regjistrave të biznesit. Digjitalizimi i proceseve dhe përmirësimi i cilësisë së të dhënave kanë qenë në qendër të transformimit të QKB-së, duke rritur transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve për biznesin.”
Llazi shtoi se QKB do të modernizojë më tej kuadrin ligjor, duke e përafruar me acquis të BE-së, si edhe do të mbajë një komunikim të hapur me biznesin për të përmirësuar shërbimet dhe për të reduktuar barrën administrative për sipërmarrjen.
Takimet e EBRA në Tiranë përfshijnë diskutime mbi ndërlidhjen me sistemin BRIS, iniciativat për Portofolin Evropian të Biznesit, si dhe zbatimin e parimit “vetëm një herë”, që synon reduktimin e burokracisë për bizneset. Ky moment vlerësohet si një hap i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e digjitalizimit dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




