Norma e interesit mbetet 2.5%, Sejko: Perspektiva pozitive për 2026

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar raportin më të fundit të politikës monetare, duke konfirmuar një ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare deri në tremujorin e parë të vitit 2026.
Sipas tij, punësimi dhe pagat në sektorin privat jo-bujqësor janë në rritje, ndërsa inflacioni mbetet në nivele të ulëta dhe tregjet financiare paraqiten të qëndrueshme. Kredia për sektorin privat vijon të rritet në mënyrë solide, duke reflektuar ndikimin pozitiv të politikës monetare të ndjekur nga banka qendrore.
“Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi raportin e politikës monetare. Informacioni i marrë në analizë sugjeron se ka pasur një ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare deri në tremujorin e parë të 2026. Punësimi dhe pagat në sektorin privat jo bujqësorë kanë ardhur në rritje, inflacioni mbetet në nivele të ulëta ndërsa tregjet financiare shfaqen të qeta dhe kredia për sektorin privat vijon të shënojë një rritje solide dhe të qëndrueshme. Në këtë ecuri një kontribut pozitiv ka pasur dhe politika monetare e Bankës së Shqipërisë. Reagimi në kohë dhe konsistent i politikës monetare ka mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare dhe ka krijuar kushte monetare të përshtatshme për kthimin e inflacionit si objektiv. Trendët e zhvillimit të vendit priten të mbeten pozitive”, u shpreh Sejko.
Sejko theksoi se reagimi i qëndrueshëm i politikës monetare ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe në krijimin e kushteve të favorshme për kthimin e inflacionit drejt objektivit.
Ekonomia shqiptare pritet të vijojë rritjen me ritme të qëndrueshme gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa inflacioni parashikohet të rikthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit 2026. Megjithatë, zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht konfliktet në Lindjen e Mesme, mbeten një faktor rreziku për ekonominë globale dhe atë shqiptare.
Inflacioni mesatar arriti në 2.4% në dy muajt e parë të vitit 2026, i ndikuar nga rritja e çmimeve të qirave, disa produkteve ushqimore dhe shërbimeve, si dhe nga stabilizimi i çmimit të energjisë elektrike për familjet.
Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me rreth 3.7% gjatë vitit të kaluar.
“Ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme solide arritje gjatë dy viteve në vazhdim ndërsa inflacionin pritet të kthehet në objektiv gradualisht gjatë vitit 2026. Konflikti në Lindjen e Mesme përben rrezik për ecurinë ekonomike botërore dhe shqiptare dhe që i cili është i vështirë që të vlerësohet. Në këto rrethana këshilli Mbikëqyrës vendos të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare.
Inflacioni i çmimeve të konsumit arriti një nivel mesatar prej 2.4 % në dy muajt e parë të vitit 2026, duke regjistruar një rritje të lehtë kundrejt tre mujorit paraardhës. Kjo ecuri u diktua nga rritja e çmimeve të qirave, e disa artikujve ushqimorë, të disa artikujve të shërbimeve dhe nga stabilizimi në nivel vjetor i çmimit të energjisë elektrike për familjet.
Sipas të dhënave të INSTAT, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend vlerësohet të jetë rritur rreth nivelit 3.7% gjatë vitit të shkuar. Bazuar në konkluzionet e mësipërme, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5 % dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës një-vjetore në 1.5% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë 1 vjetore në 3.5%”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




