Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon dekretin e Osmanit, Kuvendi 34 ditë për zgjedhjen e presidentit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik.
Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit nga 6 marsi, duke i dhënë Kuvendit një afat prej 34 ditësh për të zgjedhur presidentin e ri.
Pas dështimit të seancës së 5 marsit për mungesë kuorumi, Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, por ky u kundërshtua nga mazhoranca dhe përfundoi në Kushtetuese.
Tani, sipas vendimit të gjykatës, nëse brenda afatit nuk arrihet zgjedhja e presidentit, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Vendimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 25 mars 2026, ka vendosur për kërkesat e bashkuara në rastet KO72/26, të parashtruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KO74/26, të parashtruar nga znj. Arbërie Nagavci dhe 30 (tridhjetë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë “së dekretit nr. 24/2026 të datës 06.03.2026, të Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”
Gjykata, njëzëri, vendosi:
I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË që Dekreti [nr.24/2026] i 6 marsit 2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik;
III. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës ;
IV. TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
V. TË KONSTATOJË që Vendimi i Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme, i 9 marsit 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
VI. TUA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
VII. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
VIII. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




