Duhani dhe cigaret elektronike rrezik serioz për shëndetin, rritet numri i të rinjve që kërkojnë ndihmë mjekësore

Shëndet | 6 muaj më parë

Në Sarandë po vihet re një rritje shqetësuese e rasteve me probleme shëndetësore të lidhura me duhanpirjen.

Çdo ditë, të paktën 4-5 persona paraqiten pranë repartit të pneumologjisë në spitalin e qytetit me komplikacione serioze, të shkaktuara nga përdorimi i duhanit dhe cigareve elektronike.

Sipas mjekut pneumolog Niko Kuri, vitet e fundit është rritur ndjeshëm edhe numri i të rinjve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të pasojave nga duhanpirja.

“Edhe moshat e vogla po përdorin duhan, sepse qarkullon dhe mendimi që janë te pafajshme. Vijnë raste”, tha mjeku.

Ky trend tregon se problemi nuk prek më vetëm moshat e rritura, por po përhapet gjithnjë e më shumë edhe tek të rinjtë.

Bluzat e bardha  apelojnë që të gjitha grupmoshat të shmangin sa më shumë pirjen e duhanit, pasi efektet negative shfaqen me kalimin e viteve dhe mund të shkaktojnë probleme të rënda shëndetësore.

Në një kohë kur numri i duhanpirësve vijon të mbetet i lartë, mjekët theksojnë rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe kujdesit për shëndetin. Parandalimi dhe informimi mbeten hapat më të rëndësishëm për të ulur rrezikun e sëmundjeve, ndërsa zgjedhjet e shëndetshme sot sipas bluzave të bardha   ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës nesër.

Gazetare: B. Pëllumbi    

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme