Ibrahimaj: Rritja ekonomike në 4-mujorin e fundit të 2025 arrin 3.8%, më e larta në rajon. Bujqësia dhe informacioni, performancë më të dobët

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në konferencën e saj për media, prezantoi shifrat zyrtare të rritjes ekonomike për tremujorin e fundit të vitit 2025.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj bëri me dije se rritja ekonomike në tremujorin e fundit ka arritur në vlerën 3.8 %, shifër kjo më e lartë se mesatarja e vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Rritja ekonomike për tremujorin e fundit të vitit ka arritur 3.8%, që është më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe ajo e Ballkanit Perëndimor”, tha ministrja. Ajo shtoi se ekonomia ka mbajtur trendin pozitiv të gjithë vitit, dhe rritja ka ardhur kryesisht nga sektori i shërbimeve.
Për sa i përket kontributeve sipas sektorëve, ministrja nënvizoi se sektori i ndërtimit ka dhënë kontributin më të madh në rritjen ekonomike.
“Sektori i ndërtimit ka dhënë kontributin më të madh pozitiv, 1.17 pikë përqindjeje. Administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia kontribuuan me 1.02 pp, aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.32 pp dhe tregtia, transporti dhe akomodimi me 0.22 pp.”, tha Ibrahimaj.
Ministrja renditi më tej dhe disa nga sektorët që gjatë këtij 3-mujorit të fundit gjatë 2025-ës patën performanca negative, sikurse ishin sektori i informacionit dhe komunikacionit, si dhe sektori i bujqësisë pyjeve dhe peshkimit
“Performancë negative ka pasur sektori I informacionit dhe komunikacionit. Brena këtij sektori , aktivitetet e lidhura me teknologjinë e informacionit kanë pasur rritje me 1.43%. Rënia është ndikuar nga ecuria e aktiviteteve të tekomunikacionit dhe të marketingut që janë brenda këtij sektori. Një tjetër sektor që ka rënie është bujqësia, pyjet dhe peshkimi”, përfundoi ajo.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




