Peleshi: Ka klimë bashkëpunimi mes forcave kryesore për reformën territoriale-administrative
Drejtuesi politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi, deklaroi se është ngritur komisioni për reformën territoriale-administrative dhe deri tani ka një klimë bashkëpunimi midis forcave politike kryesore.
Gjatë një takimi me Asamblenë e Partisë Socialiste në Bashkinë Maliq, Peleshi theksoi se synimi është që produkti final i reformës të jetë një produkt i përbashkët, me dakordësi midis dy forcave politike kryesore, gjë që do ta bënte reformën më të qëndrueshme.
“Është krijuar komisioni për reformën territoriale-administrative. Lajm i mirë është që deri tani kemi një bashkëpunim bipartisan dhe shpresoj që edhe produkti final të jetë një produkt i përbashkët, pra të ketë dakordësi mes dy forcave politike, sepse kjo do ta bënte reformën natyrisht më të qëndrueshme”, tha Peleshi.A
Ai shtoi se nuk mund të japë ende një vlerësim për variantet që kanë rrjedhur në media nga diskutimet e grupit parlamentar socialist, pasi të gjitha propozimet duhet të diskutohen nga të dyja palët dhe anëtarët e tjerë të komisionit.
Sipas tij, reforma duhet të orientohet nga nevoja për të rritur efikasitetin e bashkive, duke harmonizuar zonat rurale me ato urbane.
Ai vlerësoi si pozitiv hapin e bërë në reformën e vitit 2015, e cila krijoi bashki që kombinuan karakterin urban dhe rural.
“Ne kemi fushën e dytë më të madhe bujqësore në Shqipëri. Siç ka qenë formula para vitit 2015, me bashki urbane dhe komuna rurale të ndara, nuk mund të shfrytëzohej plotësisht potenciali”, u shpreh Peleshi.Ai nënvizoi se bashkitë periferike, si ato të qarkut Korçë, ndodhen në një moment të rëndësishëm reflektimi për shkak të lëvizjeve migratore drejt zonave metropolitane.
“U takon bashkive dhe pushtetit vendor të gjejnë mënyrat se si të zhvillojnë potencialet e tyre, në mënyrë që të ruajnë kapacitetet ekonomike dhe të mbajnë popullsinë të lidhur me territorin”, tha ai.
Ai u distancua nga çdo tentativë për të politizuar procesin, duke thënë se reforma e 2015-ës ishte një hap cilësor përpara dhe jo i diktuar nga faktorë politikë.
“Unë nuk jam dakord që ky ka qenë kryefaktor edhe në reformën e viteve 2014–2015. Madje jam dëshmitar i asaj kohe dhe nuk ka pasur një faktor të tillë të orientuar politikisht që të ketë drejtuar reformën. Përkundrazi, besoj se ishte një hap shumë i mirë përpara, një hap cilësor drejt arkitekturës së re të bashkive tona. Por, siç e thashë, gjithmonë ka dinamikë, ndaj edhe ka ardhur koha për një reformë të re. Unë shpresoj shumë dhe do të luaj edhe rolin tim, që më takon si Kryetar i Kuvendit, për të mundësuar një klimë sa më pozitive. Ndonjëherë nuk është e lehtë, është një nga sfidat më të mëdha të atij pozicioni, që të kemi një formulë bipartizane”, tha më tej Peleshi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



