Skandali i mbetjeve toksike, nis zhvendosja e 102 kontejnerëve nga Porto Romano nën mbikëqyrjen e policisë

Aktualitet | 7 muaj më parë

Pas më shumë se një viti qëndrimi në zonën e Porto Romanos, mëngjesin e kësaj të diele ka nisur operacioni për zhvendosjen e 102 kontejnerëve me mbetje të dyshuara toksike, të cilat i përkasin kompanisë “Kurum”.

Sipas raportimeve nga RTSH 24 në Durrës, ky proces po kryhet me urdhër të drejtpërdrejtë të Prokurorisë, duke synuar menaxhimin e sigurt të këtyre materialeve të rrezikshme dhe i hap rrugë vijimit të procedurave ligjore për trajtimin e tyre përfundimtar.

Destinacioni i ri dhe masat e sigurisë

Kontejnerët po transportohen drejt fshatin Vrinë, pranë Shënavlashit. Vlen të theksohet se ky lokacion i ri ndodhet në afërsi të sitit të pallateve të ndërtuara për banorët e mbetur të pastrehë nga tërmeti.

Për shkak të natyrës delikate të materialeve, i gjithë operacioni po kryhet nën mbikëqyrjen e rreptë të autoriteteve. Policia e Durrësit është angazhuar në terren për të asistuar dhe garantuar sigurinë maksimale gjatë gjithë procesit të transportit dhe shkarkimit.

33 urdhër-arreste për skandalin mjedisor

Kjo zhvendosje vjen vetëm pak javë pas zbulimit të skandalit që tronditi opinionin publik, ku u konstatuan shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor. Për këtë çështje, Gjykata e Durrësit firmosi 33 urdhër-arreste, të cilat prekën jo vetëm personelin e kompanive përgjegjëse “Kurum” dhe “Sokolaj”, por edhe zyrtarë të institucioneve shtetërore, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Doganën e Durrësit.

Nga 33 masat e lëshuara nga organi i akuzës, deri më tani janë ekzekutuar 20 prej tyre. Sipas vendimit të gjykatës, të ndaluarit janë ndarë në këto masa sigurie:

8 persona janë lënë në “arrest në burg”.

5 persona janë lënë në “arrest shtëpie”.

7 persona të tjerë janë lënë në masën “detyrim paraqitjeje”.

Organet e drejtësisë vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë zinxhirin e përgjegjësive në këtë skandal të paprecedentë mjedisor.

/rtsha.l/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme