Kosovë, kuvendi zhbllokon 121 mln euro, deputetët votojnë marrëveshjet për energjinë dhe rrugët pas krizës në Parlament

Kosovë | 7 muaj më parë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar këtë të enjte disa marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare me vlerë miliona euro, pas një periudhe bllokimi të punës parlamentare. Ky zhvillim vjen pas pezullimit të aktivitetit gjatë muajit mars, për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Pas rikthimit në funksion, deputetët i dhanë dritën jeshile disa marrëveshjeve që kërkojnë votat e dy të tretave të parlamentit. Votimi u mbështet nga mazhoranca dhe një pjesë e opozitës, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës braktisën sallën në shenjë proteste për rendin e ditës.

Në fokus ishte edhe marrëveshja me Bankën Evropiane për Investime për projektin e energjisë diellore në KEK, me vlerë 33 milionë euro. Ky projekt synon ndërtimin e një prej centraleve më të mëdha fotovoltaike në vend, me kapacitet deri në 100 megavatë.

Sipas institucionit financiar, ky investim do të rrisë prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe do të ulë varësinë nga qymyri, duke forcuar sigurinë energjetike. Në të njëjtën kohë, pritet që centrali të prodhojë rreth 169 gigavatë orë energji në vit dhe të reduktojë ndjeshëm ndotjen.

Ndërkohë, përfaqësues të BERZH kanë paralajmëruar se çdo vonesë në ratifikim mund të sjellë shtyrje në zbatimin e projekteve. Megjithatë, Kuvendi nuk arriti të miratojë katër marrëveshje të tjera, për shkak të mungesës së votave dhe përplasjeve mes palëve politike.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme