Rama jep porositë për kryebashkiakët socialistë: Flotë e re automjetesh e zjarrfikësesh, sistem adresash dhe prioritete për legalizimet
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur kryetarët e bashkive të drejtuara nga Partia Socialiste në Pallatin e Kongreseve, ku ka dhënë porositë kryesore në kuadër të nismës “Për punët e Shqipërisë”.
Rama tha se është nisur një proces me ekipet drejtuese të ministrive për të analizuar situatën e prioriteteve dhe problematikave në çdo sektor, duke kërkuar një lexim të plotë të fazës aktuale të qeverisjes.
“Një nga projektet e para është vënia në dispozicion e bashkive e një flote të re automjetesh, që do të ndihmojnë në pastrimin e kanaleve dhe punën parapërgatitore për sezonin e ardhshëm, duke lehtësuar ujitjen dhe menaxhimin e pasojave nga përmbytjet. Ky projekt do të finalizohet me mbështetje financiare nga Emiratet e Bashkuara”, tha Rama.
Një tjetër pikë e rëndësishme është finalizimi i sistemit të adresave, ku Rama kërkoi angazhimin e plotë të bashkive në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrin për Pushtetin Vendor. Ai paralajmëroi se çdo individ që nuk bashkëpunon do të penalizohet.
Në fokus ishte edhe mbrojtja nga zjarret, ku kryeministri pranoi mangësitë e trashëguara në logjistikën e zjarrfikësve. Ai njoftoi miratimin e një projekti për prodhimin dhe shpërndarjen e automjeteve zjarrfikëse për bashkitë, duke pasur parasysh rrezikun e shtuar nga temperaturat e larta.
“Një pikë tjetër e rëndësishme është puna që ka nisur për të finalizuar sistemin e adresave, duke kërkuar nga të gjithë që të angazhohen në atë pjesë të punës që u takon bashkive, si dhe duke kërkuar që bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme për këtë proces të udhëhiqet nga Ministri për Pushtetin Vendor. Është bërë një punë domethënëse në këtë drejtim, por duhet finalizuar dhe këtu kërkohet edhe angazhimi i individëve. Do të jetë një pikë e posaçme për penalizim të çdo individi që nuk bashkëpunon me pushtetin vendor për t’u bërë pjesë e sistemit të adresave.
Një tjetër pikë është edhe mbrojtja nga zjarri. Jemi të vetëdijshëm për mangësitë e trashëguara në logjistikën që lidhet me zjarrfikësit. Kemi miratuar një projekt lidhur me mobilizimin dhe financimin e nevojshëm, duke shfrytëzuar kapacitetet e kompanisë që është një shoqëri e përbashkët shtetërore dhe private e krijuar në Ministrinë e Mbrojtjes. Do të prodhojmë dhe vëmë në dispozicion të bashkive automjetet zjarrfikëse që janë të domosdoshme, duke pasur parasysh fenomenin e zjarreve në pikun e nxehtësisë, që nuk po vjen duke u zbutur, por duke u agravuar”, tha Rama.
Një tjetër element i rëndësishëm është procesi i legalizimeve, ku kryeministri kërkoi angazhimin e bashkive për të ndërtuar plane prioritare në bashkëpunim me Kadastrën, duke vendosur një sistem transparent për aplikuesit dhe hapjen e zyrave të ndihmës juridike pranë bashkive.
“Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe laboratorët e dedikuar për teknologjinë në shkollat që do shkojnë në 1000 mijë dhe sot aktualisht janë vetëm 300. Do të jenë laboratorë të mësimit të teknologjisë jo vetëm gjatë mësimit por edhe pas tij. Duhet bashkëpunimi i bashkisë që të rinjtë të kenë akses në këto laborator. Një tjetër element është mungesa e një angazhim uniform në të gjithë vendin për sa i përket legalizimeve. Është e domosdoshme që bashkitë të angazhohen në këtë proces dhe kemi lënë një detyrë për Kadastrën që në bashkëpunim me çdo bashki të ndërtojnë planet prioritare të legalizimit. Në mënyrë që të të kalendarizojmë procesin dhe ta bëjmë më të drejtë, më transparent për aplikuesit duke vendosur një sistem ku përcaktohet se ata që kanë aplikuar më parë janë ata që kanë radhën për të marrë përgjigjen dhe për të përcaktuar zonat prioritare. Bashkitë të hapin një zyrë të ndihmën juridikë për kadastrën”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




