Rama: Ulet akciza e naftës kur çmimi kalon kufirin 220 lekë për litër. Abuzuesit me çmimin do përballen me masa drastike
Kryeministri Edi Rama tha se me miratimin e aktit normativ për uljen e akcizës së naftës me 20%, në momentin kur çmimi i saj kalon kufirin e paracaktuar prej 220 lekësh për litër dhe për benzinën kufiri është 200 lekë për litër është një masë e drejtë dhe e ardhur në momentin e duhur për të “amortizuar” goditjen që vjen si pasojë e impaktit të luftës në tregjet ndërkombëtare.
Sipas Ramës, kjo masë hyn në fuqi menjëherë sapo çmimet tejkalojnë limitet e vendosura, duke garantuar një ndërhyrje të drejtë për konsumatorët, pa cenuar stabilitetin e financave publike.
“Miratimi i aktit normativ për uljen e akcizës së naftës në momentin kur, si pasojë e impaktit të luftës, të kalojë limitin e 220 lekëve. Ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon limitin 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Ky limit është paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë me zhvillimet e tregut, të cilat ne nuk i kemi në dorë dhe nuk jemi shkaktarë të tyre, dhe nuk kemi as fuqinë t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar stabilitetin e financave publike”, tha Rama në podcastin “Flasim”.
Rama tha se masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i Transparencës do të vijojë të monitorojë zhvillimet në tregjet globale për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme çmimet në tregun vendas.
Ai paralajmëroi se kushdo që shkel çmimet e vendosura nga Bordi i Transparencës do të përballet me masa drastike.
“Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare. Bordi i Transparencës do të mbetet garant i çdo zhvillimi në tregjet globale, për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme atë që duhet të ndodhë në tregun vendas.
Ky është një reagim i duhur, i matur dhe në kohë, që garanton reagime të shpejta dhe mishëron përgjegjësi të plotë, dhe që do të bëjë të mundur që qytetarët të mos abuzohen nga distributorët e naftës. Kushdo që do të shkelë çmimin e vendosur nga Bordi i Transparencës do të ndëshkohet në mënyrë drastike”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




